Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), Gianni Infantino mund të mbetet në detyrë derisa ai është nën hetime në Zvicër.

Hetimet paraprake mbi sjelljen e Infantinos, në lidhje me takimet sekrete me Prokurorin e përgjithshëm zviceran, Michael Lauber dhe një fluturim privat për FIFA nga Karaibet në Gjenevë kanë përfunduar.

Vendimi ishte marrë për shkak të “mungesës së çështjeve në shikim të parë në lidhje me ndonjë shkelje të pretenduar të Kodit të Etikës FIFA”.

Po ashtu, theksohet se edhe një pezullim i përkohshëm nga detyra nuk është i nevojshëm.

Zyra e prokurorit special zviceran inicioi rastin kundër Infantinos tri javë më parë. Rasti ka të bëjë me takimet dhe marrëveshjet që Infantino kishte me Lauber në vitet 2016 dhe 2017 dhe abuzimin e mundshëm të funksioneve publike. Lauber hetoi akuzat për korrupsion në FIFA dhe u përpoq të fshihte faktin që ai u takua me Infantinon.

Lauber ka ofruar dorëheqjen e tij dhe do të largohet nga detyra më 31 gusht. Infantino mohoi parregullsitë dhe e quajti hetim absurd.