Një prokurore e  Prokurorisë Themelore në Pejë ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.

“Një prokuror i shtetit ka rezultuar pozitiv në testimin e bërë për virusin COVID-19. Me rekomandime të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publik në Kosovë, një pjesë e stafit që kanë pasur kontakt me personin e infektuar, janë vetë-izoluar”, ka  thënë Nikçi.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës pas kësaj situate të krijuar, ka kërkuar të veprohet sipas Planit për Menaxhimit të Krizës të hartuar nga Kryeprokurori i Shtetit dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“Një pjesë e punës është pezulluar për shkaqe sigurie, ndërsa tutje do veprojmë sipas koordinimit me Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publik në Kosovë, ku pritet të bëhen testimet e stafit të Prokurorisë Themelore të Pejës. Gjithashtu, sot do bëhet dezinfektimi i gjitha hapësirave në objektin e Prokurorisë Themelore të Pejës.”, ka bërë të ditur Shkodran Nikçi./21Media