Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, gjatë një vizite sot në Qendrën për Imunizim, e cila ndodhet në kuadër të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Ulpianë, ka inkurajuar të gjithë prindërit të vaksinojnë fëmijët e tyre, pasi që imunizimi është shumë i rëndësishëm për shëndetin e të gjithë fëmijëve në Kosovë.

Osmani, e cila gjatë kësaj vizite ishte e shoqëruar edhe nga shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë Murat Sahin, shprehu mirënjohjen e saj për punën e palodhshme të punëtorëve shëndetësorë në ofrimin e shërbimeve themelore shëndetësore për të gjithë fëmijët gjatë kësaj kohe me pandemi.

“Inkurajoj prindërit t’i imunizojnë rregullisht dhe plotësisht fëmijët e tyre”, tha Osmani.

Shumë vende nëpër botë e kanë suspenduar programin e imunizimit për shkak të COVID-19, duke përfshirë edhe Kosovën. Megjithatë, në partneritet me IKSHPK dhe MSH, programi i imunizimit ka filluar dhe janë vendosur edhe tenda për imunizim në tërë Kosovën dhe mijëra fëmijë janë vaksinuar brenda pak ditësh.

Vjosa Osmani dhe Murat Sahin vizituan Qendrën për Imunizim

Sipas komunikatës, Murat Sahin, shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë tha se përderisa nuk ka vaksinë kundër COVID-19, ka vaksina efektive kundër shumë sëmundjeve të tjera të rrezikshme, si fruthi, difteria dhe të tjera, që lehtësisht mund ta mbysin një fëmijë.

“Është e rëndësishme që prindërit në Kosovë të vazhdojnë së vaksinuari fëmijët në përputhje me orarin e vaksinimit edhe gjatë pandemisë. Ne do të vazhdojmë së përkrahuri institucionet shëndetësore duke i mbajtur punëtorët shëndetësorë dhe komunitetin të sigurt duke siguruar pajisje personale të mbrojtjes për punëtorët shëndetësorë”, tha Sahin.

Vaksinat shpëtojnë deri në 3 milionë jetë çdo vit, duke i mbrojtur fëmijët nga sëmundje vdekjeprurëse, me infeksion të lartë si fruthi, pneumonia, kolera dhe difteria.

Kosova është përfshirë në procesin e imunizimit në masën 90 për qind. 70 për qind e fëmijëve nën moshën 3-vjeçare janë të imunizuar plotësisht (që kanë marrë vaksinat e rekomanduara sipas orarit të imunizimit). 30 për qind nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë plotësisht të imunizuar.

UNICEF-i së bashku me MSH-në zbaton programin e vizitave nëpër shtëpi, ku përfshihen 16 mijë familje në Kosovë. Programi i vizitave në shtëpi ofron shërbime si promovimi i gjidhënies, imunizimi dhe këshilla për prindërim më të mirë që është financuar nga Qeveria e Luksemburgut.

Për të siguruar cilësi të vaksinave të dhëna, UNICEF-i është në proces të mbështetjes së MSH-së për ta fuqizuar sistemin e zinxhirit të ftohtë të vaksinave./21Media