Investime milionëshe nga KEDS në modernizimin e rrjetit elektrik

Mbi 26 milionë euro ka ndarë Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) gjatë këtij viti në mbi 200 projekte për modernizim të rrjetit elektrik në të gjithë vendin.
Rehabilitim i rrjetit të tensionit të mesëm dhe të tensionit të ulët, vendosja e stabilimenteve të reja, zëvendësimi i shtyllave të vjetra të drurit me ato të reja nga betoni dhe vendosja e rrjetit elektrik nëntokësor, janë disa prej projekteve që janë realizuar gjatë këtij viti.
Drejtori i Departamentit të Investimeve në KEDS, Faruk Gjukaj, tha se nga këto investime do të përfitojnë mbi 100 mijë qytetarë, ndërsa tregoi se në cilat komuna janë shtrirë këto investime.
“KEDS gjatë këtij viti ka kontraktuar mbi 200 projekte, të cilat projekte kanë filluar së implementuari në terren dhe janë duke vazhduar punimet. Vlera investive e këtyre mbi 200 projekteve është mbi 26 milionë euro dhe do të përfitojnë mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës. […] Është i shtrirë pothuajse në të gjitha zonat e Republikës së Kosovës, më shumë është i fokusuar në këtë vit në Gjakovë, Malishevë, në Drenas, Prishtinë, Podujevë dhe në zona të tjera të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Gjukaj përmend projektet që KEDS ka realizuar, teksa potencon se të njëjtat ndikojnë në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe rritje të sigurisë në komunitet.
“Investimet e KEDS janë të përqendruara kryesisht në rehabilitimin e rrjetit të tensionit të mesëm dhe të tensionit të ulët, me ç’rast nga këto investime po ngritën kapacitetet e furnizimit, po ngritët siguria e furnizimit të konsumatorëve, gjithashtu edhe siguria e komunitetit, do të thotë po kemi një siguri më të lartë të furnizimit të energjisë elektrike. Krahas kësaj janë duke u zëvendësuar edhe stabilimentet e vjetruara me stabilimente të reja, që nënkupton vendosjen e trafo-stacioneve të reja. Po ashtu, në zonat urbane janë duke u vendosur linja nëntokësore të tensionit të mesëm, të cilat janë duke e mundësuar një furnizim alternativ të konsumatorëve me energji elektrike…Shtrirja e rrjetit nëntokësor të tensionit të mesëm në zonat urbane po krijon një siguri më të lartë të furnizimit alternativ për qytetarët që në rast të ndonjë defekti te njëri furnizim është mundësia që për një kohë shumë të shkurtër t’i jepet furnizim alternativ nga ndonjë burim tjetër. Kjo është e një rëndësie të veçantë pasi që konsumatorët afektohen shumë pak me ndërprerje të energjisë elektrike”, tha ai.
Nga këto investime përfituesit më të mëdhenj janë qytetarët e Kosovës, të cilët tregojnë se më nuk kanë probleme në furnizim me energji elektrike.
Gani Gashi, banor i lagjes së “Prishtina e re” në kryeqytet, tha se kanë pasur probleme të shumta, e të cilat janë eliminuar pas investimeve të KEDS-it.
“Kemi pasur problem, ka qenë rryma e dobët edhe shtyllat kanë qenë duke u rrëzuar, jemi frikësuar që po bien e po e mbytin ndonjë fëmijë a ndokënd. Tash është rryma më e mirë, është më mirë për neve. […] Shtyllat i kanë heq, probleme nuk kemi, qind për qind më e mirë rryma…Jemi shumë të kënaqur që e ka bërë këtë investim KEDS-i”, tha ai.
Edhe Qamil Obria, nga fshati Komoran i Drenasit, tha se pas vendosjes së shtyllave të reja nga KEDS nuk kanë probleme me energji elektrike.
“Më herët ka qenë me shtylla të drurit, nuk ka qenë në rregull se kanë qenë shumë të dëmtuara. […] Kemi pasur telashe të mëdha çdoherë me rrymë. Ndërsa, prej gjashtë muajsh që janë vendosur shtyllat e reja është gjithçka në rregull, është bërë investim shumë i mirë, kështu që edhe na u kanë liruar ato pengesat ku kanë qenë shtyllat, por edhe rryma është në nivel. […] Jemi shumë të kënaqur të gjithë, ju them sinqerisht se më kurrë nuk kemi pasur as ndërprerje”, tha ai.
KEDS gjatë këtij viti ka përfunduar edhe projekte siç është vendosja e rrjetit elektrik nëntokësor në zonat urbane në disa qytete të Kosovës.

Back to top button