Barkat nga plastika në Cameroon

Barkat nga plastika në Cameroon

Inxhinieri Ismael Essome, nga republika e Cameroon në Afrikën Qëndrore, bashkë me ekipin e tij kanë ndërtuar një barkë peshkimi.

E veçanta e kësaj barke është se atë po e ndërtojnë të tërën nga shishet e plastikës. E ajo më e rëndësishmja, këtë barkë po e ndërtojnë nga shishet e plastikës të hedhura në plazhe e rajone urbane.

Sipas Ministrisë për Zhvillim e Mbrojtje të Natyrës në Cameroon, në këtë vend çdo vit mblidhen 6 milionë ton bërllog, përfshirë këtu 600 mijë  ton artikuj nga plastika, shkruan rtv21.tv

Kështu, Essome themeloi kompaninë “Madiba & Nature’, e cila promovon artikuj të ricikluar nga plasika, dhe e cila ofron programe edukimi rreth ambientit në Cameroon.

Atij i lindi ideja që të ndërtojë edhe barka plastike, të cilat ua dhuron peshkatarëve pa para.

Deri më tani kanë ndërtuar 15 barka të tilla, e fondet i marrin nga donacionet.

Inxhinieri Essome ka treguar se qëllimi i tij me këtë angazhim është që të mbrojë ambientin, ndërkohë që me barka i ndihmon edhe komunietit të tij.

Ai ka treguar se ky projekt ia mundëson që çdo muaj të mbledh deri në tre ton shishe të hedhura plastike. Një pjesë e tyre e shfrytëzon edhe për punim të kanaçeve, e një pjesë ruhen.

Ka një vit që peshkatari Camille Dimale shfrytëzon barkë plastike për peshkim. Ai ka thënë se barkat nga plastika përdoren më lehtë se të tjerat, pasi që ato barten më lehtë deri në ujë dhe lëvizen pa ndihmë të dikujt. Ai po ashtu ka thënë se barkat nga plasika janë më ekonomike dhe nuk dëmtohen lehtë.

Inxhinieri Essome e ka pranuar se duhet të bëjnë akoma ndryshime apo avancime në ndërtimin e barkave nga plastika, megjithatë ka thënë se ato tani për tani janë shumë të përshtatshme për peshkatarët të cilët peshkojnë në ujëra të qeta.

E për të mbledhur më lehtë shishet e plastikës, Essome dhe ekipi i tij kanë vendosur kova në vende të caktuara, që banorët t’i hedhin atje e jo përgjatë plazheve e rrugëve në vende urbane./21Media