IPK-ja nis hetimet për pretendimet e Milliqeviq se u sulmua nga Policia

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Sveçla

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka filluar hetimet preliminare për pretendimet e drejtorit të organizatës joqeveritare “Aktiv”, Miodrag Milliqeviq, se është në pikën kufitare në Jarinjë është sulmuar nga pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zyrtari për informim i IKP-së, Arbër Beka.
“Ju konfirmojmë se Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare dhe kërkesës nga Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar një hetim preliminar për të verifikuar pretendimet e ankuesit. Veprimet tjera do të ndërmirren konform autorizimeve ligjore të IPK-së”, ka thënë Beka.
Sipas pretendimeve të Milliqeviqit, rasti ka ndodhur mëngjesin 14 nëntorit.
Ndaj akuzave që janë bërë publike në një komunikatë për media të “Aktivit” të hënën, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Ai ka thënë se drejtori ekzekutiv i OJQ-së, “Aktiv” nuk ka paraqitur ndonjë ankesë dhe se njoftimin për këtë e ka marr nga mediat.
Sveçla në një shkrim në Facebook, ka theksuar se ka kërkuar raport nga zyrtarët policor të kufirit dhe hetim të këtyre pretendimeve nga IPK-ja. Për rezultatet e hetimit ai ka thënë se qytetarët do të njoftohen në kohë rekorde.
Ndërsa, Policia e Kosovës në një njoftim të lëshuar të hënën ka mohuar pretendimet e Milliqeviqit./21Media

Back to top button