Iraku thotë se sulmet amerikane vranë të paktën 16, përfshirë civilë

Sulmet ajrore të SHBA-së në Irak të premten vranë të paktën 16 persona, përfshirë civilë dhe plagosën 25 të tjerë, sipas një deklarate nga zëdhënësi i qeverisë irakiane.

Sulmet në zonën Akahat dhe qytetin Al-Qaim, afër kufirit me Sirinë, duke përfshirë vendet “ku forcat tona të sigurisë janë të stacionuara, së bashku me vendet afër civilëve”, thuhet në deklaratën e qeverisë, duke e quajtur atë “agresion kundër sovranitetit të Irakut”.

Autoritetet lokale në provincën Anbar thanë se sulmet ajrore synonin vende të përdorura nga milicitë e njohura si Njësitë e Mobilizimit Popullor (PMU) ose Hashad al Shaabi, duke përfshirë një bazë ushtarake të PMU në Akahat dhe shtëpi të përdorura si depo armësh në Al-Qaim.

Sipas kryetarit të bashkisë Rutba, Emad Al-Dulaimi, shumica e të vrarëve dhe të plagosurve në zonën e Akashatit janë luftëtarë të PMU.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha se SHBA informoi qeverinë irakiane për planet e saj përpara se të kryente sulmet. Por qeveria irakiane e ka mohuar këtë pretendim, duke thënë se Shtetet e Bashkuara “po mashtrojnë opinionin publik ndërkombëtar”.

Pala amerikane “u angazhua qëllimisht në mashtrim dhe shtrembërim të fakteve, duke deklaruar koordinimin me autoritetet irakiane për kryerjen e këtij agresioni – një pretendim i pabazuar i krijuar për të mashtruar opinionin publik ndërkombëtar dhe për të shmangur përgjegjësinë ligjore për këtë akt të dënuar, në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Deklarata e qeverisë tha se sulme të tilla “do ta shtyjnë situatën e sigurisë në Irak dhe rajon në buzë të humnerës, duke rrezikuar përpjekjet e vazhdueshme për të vendosur stabilitetin e nevojshëm”./21Media

Back to top button