Një prokuror iranian ka thënë se vendi i tij e ka lëshuar një urdhër arrestu në Interpol për presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për rolin e tij në vrasjen e komandantit të lartë, Qassem Soleimani, në janar të këtij viti.

Prokurori i Teheranit, Ali Alqasimehr, tha se në fletarrestimin ndërkombëtar, përpos kreut të Shtëpisë së Bardhë, janë të përfshirë edhe 30 persona të tjerë, të dyshuar për sulmin me dron më 3 janar, ku mbeti i vrarë gjenerali Qassem Soleimani.

Prokurori nuk ka identifikuar ndonjë person tjetër për të cilët ka lëshuar fletëarrest, mirëpo ka deklaruar se do të vazhdojnë ndjekjen penale ndaj Trumpit edhe pas përfundimit të presidencës së tij.

Interpoli me bazë në Lyon të Francës, nuk është deklaruar ende.

Alqasimer është cituar të ketë thënë se Irani ka kërkuar nga Interpoli që të vendoset një “Njoftim i Kuq”, për Trumpin dhe të tjerët, që është njoftimi i nivelit më të lartë të cilin e lëshon Interpoli.

Nën rregullat e një njoftimi të kuq, autoritetet lokale mund të arrestojnë personin në fjalë në emër të shtetit që kërkon arrestimin e tij. Njoftimi nuk mund të detyroje vendet të arrestojnë apo ekstradojnë të dyshuar, por në rastin e burrshtetasve siç është Trump, mund të limitojnë lëvizjen e tij në shtetet tjera.

Ushtaraku i vrarë, Solaimani, akuzohej se i ka udhëhequr disa sulme kundër forcave amerikane në Lindjen e Mesme përmes grupeve të përkrahura nga forcat Kuds, njësi elite e ushtrisë iraniane.

Në shenjë hakmarrjeje, Irani e kishte sulmuar një bazë ushtarake të forcave amerikane në Irak, por nga këto sulme nuk kishte pasur viktima në radhët e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara./21Media