Shefi i grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi ka deklaruar se koalicioni qeverisës mund t’ia lejoj opozitës të propozoj kandidatët e tyre për president të vendit, por këtë propozim sipas partisë opozitare lëvizjes Vetëvendosje nuk mund t’ia mohoj koalicioni qeverisës. Kjo parti vazhdon të kërkoj zgjedhje të reja parlamentare. Nga ana tjetër në PDK thonë se në këtë parti ende nuk është diskutuar një gjë e tillë.

Ndonëse presidentit të vendit Hashim Thaçi i përfundon mandati në muajin shkurt të vitit 2021, qysh tani kanë nisur diskutimet se kush mund të jetë kandidat për ta marrë këtë post.

Përderisa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shpallur kandidaturën e Ramush Haradinajt për postin e presidentit,  nga radhët e LDK-së ka ka pasur deklarata që kandidat për president të jetë kryetari i kësaj partie Isa Mustafa.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi mbrëmë ka deklaruar se mund të vijë një situatë kur koalicioni qeverisës do t’i lejojë opozitës të propozoj kandidatët për president.

“Ka shumë logjikë që mund të vijmë në një momentum dhe të deklarohet prej koalicionit që koalicioni i’a len opozitës që të propozoj kandidatët për president dhe deputetët të votojnë, gjasat janë që mund të mbërrijmë në këtë momentum”.

RTV21 kontaktoi me shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi për ta verifikuar nëse ky qëndrim është i LDK-së apo i tij personal. Gashi nëpërmjet telefonit tha se ky qëndrim është personal.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa për këtë çështje tha se LDK-ja nuk e ka trajtuar çështjen e presidentit në organet e saj vendimmarrëse. Theksoi se çdo subjekt ka të drejtë të synojë pozitën e presidentit.

“Zgjedhja e Presidentit nuk bisedohet dhe nuk zgjidhet vetëm me një parti politike. Lypset një pajtim i gjerë, një konsensus që siguron jo vetëm përkrahje verbale, por edhe votat në Kuvend.  Një kandidat me të cilin mund të bashkëpunohet, mund t’i besohet, që siguron unitetin e vendit dhe që e përfaqëson me përgjegjësi dhe dinjitet Kosovën jashtë. LDK nuk paragjykon sjelljen e askujt dhe kërkesat e askujt, por mbetet e përkushtuar që Kosova  të zgjedh një president që e meriton. Për LDK-në zgjedhja e Presidentit është çështje shumë me rëndësi, prandaj për këtë vendoset në organet e partisë”.

Por, në partinë më të madhe opozitare në lëvizjen Vetëvendosje vlerësojnë se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje.

Ndërsa, në partinë tjetër opozitare në PDK thonë se kur të vijë koha për zgjedhjen e presidentit kjo parti do ta thotë fjalën e saj.

Gjykata Speciale në Hagë deri më tani nuk ka dhënë informacion nëse është ngritur aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, duke thënë se derisa një aktakuzë të bëhet publike, ajo mbetet konfidenciale. Presidenti Thaçi më herët ka deklaruar se në rast se konfirmohet  kjo aktakuzë do të jap dorëheqje nga posti i presidentit./21Media