Ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq doli sot para gjykatës së Pejës për t’u ballafaquar me akuzën për sulm seksual. Baliq u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

“Nuk e pranoj fajësinë dhe nuk ndihem fajtor fare. Po du me theksu një vërtetë të madhe, asgjë nuk ka ndodhur ashtu me forcë”, tha Baliq.

Baliq po akuzohet se duke u ushtruar detyrën e mjekut në Spitalin e Pejës ka keqpërdorur gjendjen e të dëmtuarës për qëllime seksuale.

Sipas prokurorisë, i akuzuari e kishte cytur viktimën që ta prekë me qëllime seksuale pa pëlqimin e saj.

Në aktakuzë bëhet e ditur se viktima kishte arritur që të largohet nga ai, duke kërkuar ndihmë fillimisht nga rojet e sigurisë, e më pas e kishte lajmëruar rastin në polici.

Baliq është duke u mbajtur në paraburgim.

Mbrojtësja e të akuzuarit Baliq, avokatja Aurora Mulhaxha, propozoi që ndaj të mbrojturit të saj të hiqet masa e paraburgimit apo t’i zëvendësohet me ndonjë masë tjetër. Prokurorja e shtetit, Ardiana Veseli, ia la në vlerësim gjykatës këtë propozim të mbrojtjes.

Gjykatës në këtë çështje penale është Shaqë Curri.

Para disa ditëve para gjykatës së Pejës, familjarë të tij protestuan ndaj vendimit për vazhdim të paraburgimit.

Baliq ka qenë edhe më herët i akuzuar për ngacmim seksual, ishte liruar nga akuza.

Seanca e radhës mbahet më 11 nëntor./kallxo.com