Barack Obama, George W. Bush dhe Bill Clinton, janë shprehur të gatshëm që në mënyrë vullnetare dhe atë publikisht para kamerave të marrin vaksinën kundër COVID-19, në momentin që Agjencia amerikane e Ushqimit dhe Barnave ta miratojë për përdorim.

Tre ish-presidentët shpresojnë me këtë veprim do të rrisin vetëdijen dhe besimin në sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës, duke dërguar kështu një mesazh të fuqishëm në kohën kur autoritetet shëndetësore po mundohen të bindin qytetarët të vaksinohen.

Freddy Ford, ish-shefi i stafit të Bushit, ka thënë për CNN se presidenti i 43-të i SHBA-ve e ka kontaktuar Anthony Faucin – drejtorin e Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Ngjitëse dhe eksperten e sëmundjeve infektive Deborah Birx, për të parë se si mund të ndihmojnë në promovimin e vaksinës.

Në anën tjetër shefi i zyrës për informim i ish-presidentit Clinton, ka thënë për CNN se edhe ai është i gatshëm ta marrë vaksinën publikisht vetëm që ajo sa më shumë të promovohet.

E Obama gjatë një interviste dhënë për SiriusXM me Joe Madison, ka thënë se nëse Fauci thotë se vaksina kundër COVID-19 është e sigurt, atëherë ai i beson atij.

“Njerëzit sikur Anthony Fauci, të cilin e njoh unë dhe kam punuar me të, i besoj plotësisht. Nëse Fauci më thotë se kjo vaksinë është e sigurt dhe mund ta marrë për të ma rritur imunitetin, sigurisht se do ta marrë”, ka thënë Obama.