Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës informoi se sot në mëngjes, në moshën 81 vjeçare ndërroi jetë Hajrullah ef. Hoxha, i cili ka qenë veteran i letrave islame në gjuhën shqipe si dhe zyrtar shumëvjeçar i Kryesisë së BIRK-ut.

Siç informoi Bashkësia Islame, varrimi i hoxhës Hajrullah ef. Hoxhës do të bëhet sot në varrezat e fshatit Korroticë e Epërme, në kohën e namazit të ikindisë.

“Po ashtu, ju njoftojmë se Hajrullah ef. Hoxha ka ndërruar jetë si pasojë e Covid-19, andaj ju njoftojmë të gjithëve se varrimi i tij do të bëhet vetëm nga rrethi i ngushtë familjar, si dhe nuk do të ketë të pame të organizuar.”, informoi BIRK.

Hajrullah Hoxha është lindur në fshatin Korroticë, komuna e Gllogocit, më 1939. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, më pas ka vazhduar në Medresenë e Ulët të Prishtinës, ndërsa të mesmen e ka kryer në “Gazi Husrevbeg”, në Sarajevë.

Hoxha në Bashkësinë Islame ka punuar që nga viti 1964, së pari ka kyer detyrën e imamit në Deçan, ndërkaq nga viti 1969 ka qenë imam dhe referent arsimor-fetar në Mitrovicë.

Nga viti 1980, H. Hajrullah Hoxha ka punuar si nëpunës administrativ në Kryesinë e Shoqatës së Ylemave të Kosovës.

Hajrullah Hoxha ka qenë njëri ndër themeluesit dhe pishtarët e publicistikës islame në gjuhën shqipe në Kosovë. Veprimtarinë e tij në këtë e fushë ka filluar në “Buletin”, për të vazhduar në “Takvim-Kalendar”, “Edukata Islame”, “Dituria Islame” etj., ku ka botuar trajtesa, përkthime e analiza të ndryshme nga fusha e islamologjisë./21Media