Ka vdekur anesteziologu i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, dr. Sylejman Dulla, i cili ishte i infektuar me Covid-19.

Lajmin e bëri të ditur QKUK-Shskuk përmes një shkrimi, me ç’rast ngushëlloi familjen Dulla dhe të gjithë ata që punuan dhe e njohën anesteziologun Dulla.

Siç u bë e ditur, anesteziologu nuk arriti ta mposhtë sëmundjen edhe pas trajtimit disa ditor në QKUK.

“ShSKUK humbi edhe një profesionist të zellshëm dhe të përkushtuar në punë. Ngushëllime familjes Dulla, miqve, kolegëve dhe gjithë atyre që e njohën dhe punuan për shumë vjet me të. Do ta përkujtojmë çdoherë si njeri të ndershëm, të urtë dhe të përkushtuar në punë.”, bëri të ditur QKUK-Shskuk përmes një shkrimi.

Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë kanë  vdekur katër persona që kanë qenë të prekur me Covid-19, janë konfirmuar edhe 215 raste të reja, ndërsa janë shëruar nga Covid-19 edhe 428 pacientë.

Numri total i rasteve pozitive është 50.620 raste nga 179.402 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.309 raste të vdekjes./21Media