Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka thënë se  ministri i Shëndetësisë ka mungesë të planit rreth vaksinimit të qytetarëve të Kosovës kundër Covid-19.

Në debatin parlamentar ku po diskutohet rreth situatës së krijuar nga pandemia, ish-ministri i Shëndetësisë ka thënë se tashmë dihet që do të arrijnë vaksinat, por po mungon plani i vaksinimit.

“Asnjëherë nuk po tregohet një plan, ne e dimë që po vjen vaksina sepse do të vjen, unë edhe dje e kam thënë ka me ardh, do të vjen nuk ka qare pa ardh, asnjë lloj plani kur do të vaksinohen njerëzit, ku do të vaksinohen kur janë afatet e vaksinimit, sa njerëz i shihni të vaksinuar në muaj, çfarë metodologjie të informimit do të përdorni, sa ka pas rezistencë në këtë mostrën e vogël 25 mijë, çka kanë qenë mësimet që i keni marrë prej këtyre 25 mijë vaksinave, asgjë bre nuk po jepni, bash hiç asgjë. Vjen, e kam gjet ministrinë kështu, jo ky ka punuar ky nuk ka punuar, nuk jemi ne në pozicion, të fundit në vaksinë e me këqyr a ka punua Armend Zemaj a nuk ka punua”, ka thënë Ismaili.

Ndërsa ministri i shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se garanton qytetarët që shumë shpejtë do të arrijnë vaksinat.

“Nuk kishin ardh pa ua bërë hyzmetin, edhe do të vijnë sepse jemi duke ua bërë hyzmetin, në anën tjetër, plani i vaksinimit është plan publik bre zoti Ismaili, është plan publik të cilin e dini edhe ju dhe është plan që do të vazhdojë dhe do të bëhët pa asnjë problem në momentin që do të vinë vaksinat, e nga muaji maj, prap po them, kur të fillojë procesi i ardhjes së vaksinave, ky proces nuk do të ndalet”, ka thënë Vitia.