Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili thotë se është fatkeqësi që e kemi një politikan si Kurti. Ismaili thotë se Kurti e sulmoi sërish presidentin dje, edhe pse ai udhëtoi në Hagë për të kaluarën e tij si ushtar i lirisë.

“‘Shko në Hagë, Hashim’ – këtë fjali e ka shkruar kohë më parë Albin Kurti dhe duhet të jetë një prej më të turpshmeve të tij, i cili, kur e ka thënë, i verbuar nga urrejtja politike, nuk e ka kuptuar se në Hagë do të mund të gjykohej Hashimi i UÇK-së, e jo Hashimi i politikës. Jo kundërshtari i Albinit, por armiku i Serbisë. Ose, ndoshta edhe e ka ditur, por ka dëshiruar ta krijojë një të vërtetë tjetër, të tij, por që nuk është e vërteta e Kosovës. Dje, Albin Kurti e sulmoi sërish Hashim Thaçin, edhe pse ai udhëtoi në Hagë për të kaluarën e tij si ushtar i lirisë. Sot, u raportua se Serbia ka dërguar në Hagë mijëra dokumente për Hashim Thaçin dhe veprimtarinë e tij kundër Serbisë.”, shkroi ai mes tjerash.

Sipas Ismailit, Kurti nuk brengoset për vlerat e luftës, prandaj sulmon edhe kur s’duhet. Më tej ai thotë se “Kurti është modeli i politikanit, që e gjejmë nëpër histori, që çdo herë kur ka pasur nevojë për unitet – ky model i politikanit ka vepruar për përçarje. Kjo është fatkeqësi kombëtare që na ka përcjellë në etapa të ndryshme të historisë, e është fatkeqësi që edhe sot e kemi një politikan të tillë.”

“Kjo është përballje e Kosovës me Serbinë, e historisë së Kosovës me fabrikimet e Serbisë. Të gjithë e dimë se UÇK dhe populli i Kosovës kanë qenë të rreshtuar në anën e drejtë. Dëbimi i shqiptarëve, krimet, gjenocidi kanë ndodhur nga Serbia. Nuk ka Gjykatë, e as politikan, që mund ta ndryshojë këtë histori.”, shkroi në fund deputeti i PDK-së./21Media