Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili thotë se  gjendja me Covid-19 në Kosovës është alarmante dhe se sistemi shëndetësor është buzë kolapsit.

Përmes një postimi në Facebook, Ismaili shprehet se Qeveria Hoti po tregohet se nuk ka kompetencën e duhur për ta menaxhuar situatën.

“Rritja enorme e rasteve me Covid-19 në Kosovë është indikatori kryesor i një sërë dështimesh që e kanë percjellë sistematikisht këtë pandemi. Sot më shumë se kurrë shihet mungesa e vendimmarrjes dhe vizionit të Qeverisë për përballjen me pandeminë”, shkroi ndër të tjera Ismaili.

Sipas Ismailit, në mungesë të një plani të qartë, Ministri Zemaj po krijon mekanizma të ndryshëm për të menaxhuar pandeminë dhe po e vështirëson procesin e vendimmarrjes.

Organizimi i tillë i fragmentuar në komitete, komisione e borde të ndryshme që nuk koordinohen, është kundër-produktiv. Kjo formulë e organizimit e shpërndan përgjegjësinë dhe bën që qytetari të thellohet edhe më shumë në krizë shëndetësore. Pandemia ka shkaktuar një krizë me pasoja të rënda dhe për këtë Qeveria duhet të përdorë më shumë kapacitetet e veta për të rritur efikasitetin e sistemit shëndetësor. Puna e madhe dhe sakrifica e të gjithë punëtorëve shëndetësorë duhet të përcillet me politika të mirëfillta qeveritare, për t’i zbutur efektet negative të virusit sa më shumë që të jetë e mundur. Ndryshe, Kosova do të zhytet edhe më shumë në krizë”, shkroi Ismaili.

Në Kosovë sot është shënuar numër rekord i rasteve të reja, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 276 raste me Covid-19. Ndërsam janë shëruar 153 pacientë. /21Media