Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka kërkuar nga prindërit që mos t’i dërgojnë fëmijët në çerdhen publike “Albiona Asllani” në Shtime, derisa Qeveria e Kosovës nuk i ka njoftuar zyrtarisht për hapjen e këtyre institucioneve.

Sot në konferencën për media të Qeverisë në largim, u fol për rihapjen e Institucioneve Parashkollore, mosha 0 – 5 dhe u përmenden dy data, 1 qershor dhe 8 qershor 2020. I njoftojmë prindërit, që fëmijët e tyre të cilët vijojnë në Institucionin Parashkollor ‘Albiona Asllani’ në Shtime, se ky vendim është marrë pa konsultim me Komunat dhe kryetarët e Komunave dhe se ne deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë informatë zyrtare për funksionimin dhe rregullat që do të zbatohen lidhur me këtë çështje“, ka thënë Ismajli, duke shtuar se komuna pret që Ministria e Arsimit të qartësojë situatën dhe rregullat për rihapjen e kopshteve publike.

Edhe kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini, nëpërmjet një shkrimi në Facebook ka thënë se në këtë komunë nuk mund të hapen kopshtet nesër.

Vendimi i qeverisë i datës 31 Maj (e dielë) që kopshtet të hapen me datën 1 Qershor (e hënë) është nonsens. Në kopshte fëmijët ushqehen dhe pastrohen! Nuk mund të bëhen pregatitjet për të hënën në mëngjes kur lajmi ipet të dielen në ora 22:00! Prindërit të mos i dërgojnë fëmijët në kopshte nesër ndërsa po nesër do të fillojnë pregatitjet për hapjen sa më të shpejtë të kopshteve me masat e duhura të sigurisë“, ka shkruar Gjini./21Media