Ismaili: Kemi blerë 6 milionë euro barna më lirë sesa vitin e kaluar

Sipas ministrit të gjitha kontratat e jashtëligjshme janë ndërprerë

Në Javën Kundër Korrupsionit,  Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se korrupsioni ka dëmtuar rëndë sektorin e shëndetësisë kosovare.

Sipas tij nga blerja e barnave këtë vit kanë kursyer 6 milionë euro.

“Korrupsioni ka dëmtuar rëndë sektorin e shëndetësisë dhe ka dëmtuar besimin e qytetarëve. Blerja e barnave u përkeqësua ndër vite. Me ardhjen në mandat kam parë që ka shumë probleme. Të gjitha kontratat e jashtëligjshme janë ndërprerë. Kjo politikë dhe këto veprime kanë pasur sukses. Sot Ministria e Shëndetësisë ka blerë 6 milionë euro barna më lirë sesa vitin e kaluar. 6 milionë euro që kanë mundësuar të shfrytëzohen në pajisje”, tha Ismaili në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Ai tha se paratë publike janë keqpërdorur në vitet 2016- 2017.

“Shëndetësia kosovare ka lënguar gjatë nga korrupsioni, por tash kemi arritur t’i shpëtojmë 6 milionë euro. Ne nuk do të ndalemi. Këto realisht janë keqpërdorur gjatë vitit 2016, 2017. Nga ajo që kemi parë, kemi arritur të kursejmë 6 milionë euro. Është e vërtetë se kanë qenë miliona në pyetje se janë blerë më shtrenjtë”, u shpreh Ismaili./21Media

 

Back to top button