Isufi e quan jo serioze seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita

Isufi kërkoi të mos përmenden data në lidhje me liberalizimin e vizave

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi e ka quajtur jo serioze seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, duke iu referuar kështu nënshkrimeve të mëhershme, të cilat sipas tij ishin të manipuluara, e po ashtu edhe rezolutës, ku tha se përmenden zgjedhjet.

Ai këto komente i ka bërë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur nga opozita, pas mos liberalizimit të vizave për vendit tonë këtë vit.

Isufi ka kërkuar të mos përmenden data në lidhje me liberalizimin e vizave, duke thënë se krejt kjo varet nga BE-ja dhe jo nga Kosova.

“Bashkimi Evropian përmes komisionarit Hahn  në Prishtinë dje deklaron se Kosova i ka përmbush kriteret, 95 për qind, do të thotë e ka kryer punën e vet, dhe nuk e tha ndryshe, por tha që në BE ekzistojnë procedura të cilat duhet të vazhdojnë  në mënyrë që të bëhet liberalizimi i vizave”, ka thënë ai.

Ndryshe, komisionari evropian për Zgjerim, Johaness Hahn gjatë vizitës së djeshme në Kosovë ka thënë se heqja e regjimit të vizave nuk do të ndodhë deri në vitin 2020, madje i ka porositur kosovarët të mos mbahen peng i datave, duke aluduar se ky proces mund të merr kohë edhe më shumë.

Back to top button