Pandemia që “dërrmoi” Italinë

Pandemia që “dërrmoi” Italinë

Në Itali, skenat dramatike tashmë përbëjnë përditshmëri. Vendi më i goditur në Evropa nga koronavirusi COVID-19, po përjeton momentet më të vështira në dekadat e fundit dhe po humb mijëra banorë si pasojë e pandemisë.

Cremona është një nga pjesët më të goditura me koronavirusin COVID-19, që shkaktoi pasoja të tmerrshme në Itali, sidomos në pjesën veriore të këtij shtetit.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në Itali ka mbi 35 mijë raste të konfirmuara si të infektuar me këtë koronavirus dhe rreth 3000 të vdekur.

Statistikat tregojnë se shkalla e vdekshmërisë në këtë vend është duke shënuar rritje, kurse pamjet e qyteteve të mbushura me turistë, janë zëvendësuar me pamjet e spitaleve dhe morgjeve me pacientë dhe kufoma.

Situata është e tillë që edhe të vdekurit nuk mund të varrosen nga të afërmit e tyre në ceremoni tradicionale, por me kufomat merren shërbimet e veçanta të shtetit, që kryejnë varrimet nën masa të sigurie dhe masa tjera për parandalim të përhapjes së virusit.

Në rrjete sociale janë publikuar edhe shumë pamje të kamionëve ushtarakë për të cilët është thënë se po bartin kufoma meqë morgjet e spitaleve nuk kanë më kapacitet për të mbajtur ato.

Më pas edhe Qeveria pranoi se ka angazhuar ushtrinë për transport të kufomave, meqë numri i tyre ishte shumë i madh.

Italia tashmë është në shtetrrethim, gjegjësisht në gjendje të jashtëzakonshme të shpallur nga Qeveria e këtij shteti dhe është duke ndërmarrë shumë masa me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të këtij koronavirusit.

Ky vend evropian është më i goditur në Evropë, pas Kinës dhe ekspertët deri më tani nuk kanë parashikim se kur mund të fillojë të zbutet shkalla e përhapjes së këtij infeksioni dhe shkalla e vdekshmërisë.

Sidoqoftë, jeta vazhdon dhe në shembull për këtë është Venecia. Qyteti që zakonisht është i mbipopulluar me turistë dhe rrezikon të shkatërrohet nga mbipopullimi dhe ndotja, ka filluar të pastrohet, në kanale uji është më i pastër, nuk ka ndotje nga anijet dhe mbeturinat, madje edhe peshqit janë kthyer sërish.

Kush e di, mbase ata që i mbijetojnë koronavirusit do të kenë vetëdije më të lartë për atë që njerëzimi po i shkakton planetit dhe rëndësinë e mbrojtjes së të gjitha qenieve në të./21Media