Italianët festuan si mysafirë sonte kundër Bullgarisë në Sofje me rezultat 2:0, në ndeshjen e grupit C të kualifikimeve për botërorin “Katari 2022”.

Golat për azurët i shënuan Andrea Belotti në minutën 43 nga pika e bardhë dhe Manuel Locatelli shtatë minuta para përfundimit të ndeshjes.

Në tabelën e grupit C prijnë Italia dhe Zvicra me nga gjashtë pikë.

Kombëtarja austriake ndërkaq mposhti Ishujt Faroe 3: 1 në grupin F. Mysafirët erdhën në epërsi me golin e Ragnar Nattestad në minutën 19, por nikoqiri në Vjenë nuk lejoi të befasohej duke shënuar tri herë dhe atë përmes Aleksandar Dragoviq (30’), Christoph Baumgartlinger (37’) dhe Sasa Kalajdzic (44’).

Kështu austriakët përmirësuan disponimin e tyre pas barazimit në Skoci 2:2 dhe tani janë të dytët në tabelë me katër pikë, pas danezëve me pikë maksimale (6).