Manastirliu i uron shërim të shpejtë

Manastirliu i uron shërim të shpejtë

Mjeku në pension, Dhimitër Kraja që ju bashkua vullnetarisht pak ditë më parë luftës së bluzave të bardha te Infektivi kundër COVID 19 ka rezultuar pozitiv për koronavirusin. Burimet bëjnë me dije se ai është shtruar në infektivë prej ditës së djeshme.

Ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, teksa i uron shërim të shpejtë thotë se gjendja shëndetësore e doktor Lulit në këto momente është e qëndrueshme.

“Pesha e viteve nuk e pengoi Prof. Dhimitër Krajën për t’u rikthyer në spitalin infektiv, aty ku ka kaluar 48 vite të jetës së tij, për t’i dhënë një dorë stafit të palodhur të këtij spitali në këto ditë të vështira! I rrallë e modest si pakkush, Dr. Luli, siç e thërrasin të gjithë, po përballet vetë në këto momente, me sëmundjen që aq shumë donte ta luftonte.Gjendja shëndetësore e doktor Lulit në këto momente është e qëndrueshme, në trajtim nga ekipi mjekësor, për të cilin ka qenë ngahera një burim i pashtershëm frymëzimi”, u shpreh ajo.

Pas 48 viteve punë në spitalin Infektiv profesor Dhimitër Kraja iu përgjigj i pari thirrjes për t’u rikthyer në shërbim, për të ndihmuar kolegët në kurimin e pacientëve të infektuar me COVID-19.

Mjekët dhe infermierët e spitalit Infektiv në Tiranë po kujdesen këto ditë me përkushtim për kurimin e pacientëve të infektuar me COVID-19 në vendin tonë./oranews