Irani sulmon me raketa Izraelin
(Lajm i përditësuar)
Bota reagon pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit
Liderët botërorë u bënë thirrje Iranit dhe Izraelit të tërhiqen nga përshkallëzimi i situatës, pasi Teherani lëshoi një sërë raketash ndaj rivalit të tij të kahmotshëm më 1 tetor.
Teherani tha se ky sulm – i cili ndodhi në një kohë kur Izraeli kishte lajmëruar për një ofensivë tokësore kundër Hezbollahut – grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit – ishte një përgjigje ndaj vrasjeve të liderëve militantë që mbështeten nga Irani.
Kjo ishte hera e dytë që Irani e sulmon drejtpërdrejt Izraelin, pas një sulmi me raketa dhe dronë në prill, si hakmarrje për një sulm ajror vdekjeprurës izraelit në konsullatën iraniane në Damask.
Pas sulmit, Izraeli dhe Irani e kërcënuan njëri-tjetrin, ndërsa liderë të ndryshëm botërore bënë thirrje për armëpushim, mes frikës për një konflikt të zgjeruar në Lindjen e Mesme.
OKB-ja kërkon armëpushim
Pas valës së raketave nga Irani, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e dënoi “zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme”
“Kjo situatë duhet të ndalojë. Ne patjetër që kemi nevojë për një armëpushim”, tha Guterres.
Ai shprehu shqetësim për përshkallëzimin e tensioneve mes Izraelit dhe Hezbollahut, në një kohë kur konflikti me Hamasin në Gazë po vazhdonte.
Hezbollahu është e shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërkaq Bashkimi Evropian e ka futur në listë të zezë krahun e tij ushtarak, por jo edhe partinë politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez. Ndërsa, grupi palestinezë Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.
SHBA: Sulmi, plotësisht i papranueshëm
Ndërsa sulmi po ndodhte, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, urdhëroi ushtrinë amerikane të “ndihmojë mbrojtjen e Izraelit nga sulmet iraniane dhe të rrëzojë raketat që po synonin Izraelin”, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e quajti sulmin “totalisht të papranueshëm” dhe tha se ai duhej të dënohej nga e gjithë bota.
“Raportet e para sugjerojnë se Izraeli, me mbështetje aktive nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë, e ka përballuar me sukses këtë sulm”, tha Blinken për gazetarët.
Ndërsa, këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, paralajmëroi për pasoja për Iranin.
Shërbimet e urgjencës thonë se ende nuk ka raportime për lëndime serioze
Duke përsëritur një pjesë të deklaratës së fundit të IDF , shërbimet e urgjencës të Izraelit thonë se aktualisht nuk ka raportime për lëndime serioze pas sulmit raketor të Iranit ndaj Izraelit.
Një zëdhënës i Magen David Adom (MDA) thotë se teknikët mjekësorë të urgjencës dhe paramedikët janë vendosur për të kontrolluar “disa vende ku janë marrë raporte për sulme me raketa”.
“Aktualisht nuk ka raportime për të lënduar nga zjarri në drejtim të Izraelit, përveç dy lëndimeve të lehta nga prerjet në zonën e Tel Avivit dhe disa lëndime të lehta në mbarë vendin gjatë lëvizjes në hapësira të sigurta, si dhe raste ankthi”.
BE-ja kërkon armëpushim rajonal
Bashkimi Evropian (BE) dënoi “në terma të fuqishëm” sulmin me raketa balistike iraniane ndaj Izraelit dhe kërkoi një armëpushim të menjëhershëm në të gjithë Lindjen e Mesme.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, shkroi në platformën X: “Cikli i rrezikshëm i sulmeve dhe hakmarrjeve rrezikon të dalë jashtë kontrollit. Një armëpushim i menjëhershëm në të gjithë rajonin është i nevojshëm”.
400 raketa drejt Izraelit, flakë në qiellin e Tel Avivit, ministri izraelit: Irani do të pendohet
Irani ka sulmuar Izraelin me raketa mbrëmjen e sotme. Jerusalem Post raporton se 400 raketa u hodhën drejt Izraelit, pas sirenave për sulm ajror që shpërthyen në të gjithë vendin.
Flakët dhe raketat u panë në qiellin e Tel Aviv-it, sipas mediave shtetërore.
Ministri izraelit i financave të ekstremit të djathtë menjëherë pas sulmi reagoi në rrjetet sociale dhe tha se “Irani do të pendohet.
Presidenti i SHBA Joe Biden më herët deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë Izraelin të mbrohet nga sulmet raketore iraniane dhe të mbrojë ushtrinë amerikane në rajon.
“Ne diskutuam se si Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për të ndihmuar Izraelin të mbrohet kundër këtyre sulmeve dhe të mbrojë personelin amerikan në rajon,” tha Biden në platformën X.
Biden zhvilloi një takim me Zëvendës Presidenten Kamala Harris dhe ekipin e sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë më herët gjatë ditës së sotme.
Misioni iranian në OKB: Përgjigja e Teheranit “është kryer siç duhet”
Misioni iranian në Kombet e Bashkuara tha se përgjigja e Teheranit “është kryer siç duhet”, pas një breshëri raketash të lëshuara në Izrael.
“Përgjigja ligjore, racionale dhe legjitime e Iranit ndaj akteve terroriste të regjimit sionist – të cilat përfshinin shënjestrimin e shtetasve dhe interesave iraniane dhe cenimin e sovranitetit kombëtar të Republikës Islamike të Iranit – është kryer siç duhet,” Misioni i Përhershëm i Republika Islamike e Iranit në Kombet e Bashkuara tha në një postim në X.
Misioni tha se nëse Izraeli duhet të “guxojë të përgjigjet ose të kryejë akte të mëtejshme keqdashjeje, do të pasojë një përgjigje e mëvonshme dhe dërrmuese”.
Misioni shtoi se “shtetet rajonale dhe mbështetësit e sionistëve këshillohen të ndajnë rrugët me regjimin”.
Familjet vrapojnë për strehim ndërsa raketat ndriçojnë qiellin mbi Izraelin verior
Në Izraelin verior, në gjysmë ore të fundit, është parë shkëlqim portokalli i raketave të shumta që kalojnë në qiell.
”Jemi afër vendit ku Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) nisën pushtimin e tyre në Liban mbrëmë dhe familjet izraelite kanë vrapuar drejt strehimoreve. Është një skenë që është përsëritur në të gjithë vendin”, raporton BBC..
Është e paqartë nëse kjo është breshëria e fundit e raketave të Hezbollahut të lëshuara nga brenda Libanit apo, në fakt, raketa të lëshuara nga Irani.
Në strehën tonë, të rriturit janë ngjitur në telefonat e tyre duke monitoruar aplikacionet dhe sinjalizimet e tjera të raketave. Ndërsa fëmijët – të pavëmendshëm ndaj këtij momenti të rëndësishëm në këtë krizë aktuale të Lindjes së Mesme – luajnë në dysheme.
Irani sulmon me raketa Izraelin
Irani ka nisur sulmin me raketa mbi Izrael mbrëmjen e 1 tetorit. Ushtria izraelite ka thënë se sulmi po vazhdon, ndërsa Irani ka thënë se po sulmon me raketa balistik.
Ushtria izraelite të martën në një deklaratë ka thënë se Irani ka lansuar raketa drejt Izraelit, raporton BBC. Më vonë e ka konfirmuar edhe Irani.
Sipas deklaratës, sirenat për sulmin ajror janë lëshuar në tërë Izraelin.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës më herët kanë thënë se Irani është duke përgatitur sulm ajror ndaj Izraelit.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) u kanë bërë thirrje izraelitëve që “të qëndrojnë vigjilent dhe të ndjekin saktësisht udhëzimet e komandës së frontit të brendshëm”.
“Me të dëgjuar një sirenë, duhet të hyni në një hapësirë të mbrojtur dhe të qëndroni atje deri në njoftimin e dytë”, thuhet në paralajmërimin e lëshuar nga IDF-ja.
Ushtria e Izraelit ka thënë se sulmi i Iranit po vazhdon.
“Kërkoheni të qëndroni në hapësira të sigurta deri në njoftimin e radhës”, thuhet në një njoftim të saj duke shtuar sqarimin se shpërthimet që po dëgjohen janë nga raketat që po pengohen në ajër nga Izraeli.