Ndonëse në kushte të jashtëzakonshme dhe me kufizime të caktuara për shkak të pandemisë COVID 19, edhe sivjet në hapësirat e Panairit të Berlinit, nga 3 deri më 5 Shtator 2020 u mbajt edicioni special dhe i reduktuar i panairit ndërkombëtar të elektronikës konsumuese IFA 2020. Për dallim nga vitet tjera, sivjet ishin të lejuar që të panairin ta vizitonin vetëm vizitorët e ftuar profesional por jo edhe publiku. Për këta të fundit organizatorët janë përkujdesur që përmes platformës “IFA Extended Space” tu mundësojnë atyre “vizitën digjitale” në këtë panair. Përmes kësaj mundësie, publiku i gjerë ka pasur mundësinë që të përcjellë në kohe reale të gjitha zhvillimet në hapësirat e Messe Berlinit.

Ashtu si Samsung, edhe kompani të tjera si Sony, Philips, Lenovo, Amazon dhe Sennheiser nuk ishin të pranishëm fizikisht me produktet e tyre në shtandet e IFA-s. Kompanitë tjera si Miele, Bosch Siemens Hausgeräte ose Qualcomm, ndonëse nuk ishin të pranishme në shtande ato nuk munguan në konferenca shtypi. Në vendin e ngjarjes, pra në hapësirat ekspozuese ishin rreth 150 ekspozues kurse numri i përgjithshëm i ekspozuesve ishte rreth 1450 nga 30 vende të botës. Vitin e kaluar IFA ka qenë e vizituar nga 250 mijë vizitorë. Panairi IFA konsiderohet si panairi me më së shumti kontrata afariste të arritura, ku vitin e kaluar vlera e këtyre kontratave ishte jo më pak se 4.7 miliardë eurove. Meqenëse sivjet munguan edhe shumë kompani më të vogla nga Azia, sivjet vështirë se do të arrihet suksesi i vitit të kaluar.

Teknologjia nuk i ndalë hapat e vet të zhvillimit dhe në këtë drejtim edhe panairi IFA u detyrua që të modernizohet dhe t’i përshtatet situates pandemike.

Zgjidhje jashtëzakonisht inovative dhe futuristike në kuzhinë prezantoi prodhuesi gjerman Siemens, gjithnjë përmes ofrimit të pajisjeve të fjalës së fundit të teknologjisë me mundësi kommunikimi të lehtë me shfrytëzuesit.

Kompania Lenovo, përpos laptopëve dhe tabletëve pos tjerash ka prezantuar edhe të ashtuquajturin “Smart Clock Essential”, i cili përmes shërbimit Google pranon porositë dhe urdhërat me zë. Për shkak të dizajnit të tij, kjo pajisje është posaçërisht e përshtatshmë për shfrytëzim në dhomën e gjumit.

Edhe sivjet ishte shëndeti i njeriut në fokus të inovacioneve të prezantuara. Kështu gjganti teknologjik jugkorean LG electronics ka paralajmëruar në këtë panair pastruesin mobil të ajrit “PuriCare” që është një pajisje e cila montohet në veshmbathje. Fjala është për një maskë, e cila është e pajisur me dy filterë H13-HEPA, të cilat rregullojnë dhe përshtasin automatikisht ajrin e filtruar për frymëmarrje. Prodhuesi ka njoftuar se me një mbushje të baterisë kjo pajisje mund të funksionojë deri në 8 orë.

Në përgjithësi ishin pajisjet që barten me veshmbathje ende në trend. Kompania amerikane FitBit që është e speciualizuar për orët e mençura dhe monitoruesit e aktiviteteve fizike, ka prezantuar orën e mençur “Fitbit Sense”. Pajisja mund të masë frekuencat e zemrës së mbajtësit të vet dhe ka aftësi e identifikimit të stresit. Pos tjerash kjo pajisje posedon edhe një termometër.

Një fjetje e shëndetshme gjithmonë pengohen nga kërrhatja e partnerit. Për këtë problem ka menduar kompania Philips duke prezantuar pajisjen “SmarterSleep Snoring Relief Band”. Ajo përbëhet nga nja rrip që vendoset në gjoks, i cili matë pozicionin e gjumit të shfrytëzuesit. Nëse pozicioni momental i tij shkakton kërrhatje, pajisja dërgon sinjale përmes vibrimit për lëvizje të trupit. Normalisht, një gjë e tillë bëhet në mënyrë shumë të qetë, pa ia prishur gjumin mbajtësit të kësaj pajisje.

Normalisht as argëtimi dhe komunikimi nuk ishin lënë anash në këtë panair. Pjesëmarrësi shumëvjeqar i këtij panairi, kompania Samsung, ndonëse nuk prezantoi risitë e veta në këtë panair ajo e bëri një gjë të tillë në formatin digjital që u transmetua përmes internetit. Ndër produktet më interesante të kësaj kompanie që pritet të dominojë në blerjet e fundvitit është TV projektori 130 inça “The Premiere”, i cili mundëson një video transmetim me rezolucion të lartë 4K dhe është i pajisur me Surround-Soundsystem. Edhe kësaj here kjo kompani u mundua që të joshë publikun me televizorët e vet më të ri për hapësira të jashtme. Në ngjarjen “Life Unstoppable” Samsung prezantoi televizorin “The Terrace”, i cili është i dizajnuar posaçërisht për përdorim jashtë shtëpisë, pra në kopsht apo në terracë.

Galaxy Z Fold2 5G i ri dëshiron që të caktojë standarde të reja. Ai posedon një display të madh, i cili pas shpalosjes bëhet aq i madh, pothuajse sa një tablet. Për shumë shfrytëzues megjithatë çmimi i tij prej 1949 eurove tingëllonte tejet trishtues.

Prodhuesi tjetër “Motorola” ndërkaq, synon që tregun e ardhshëm të smartfonëve ta fokusojë tek pajisjet më të vogla dhe më të lira. Modeli “Moto g 5G plus” që e përkrahë standardin e ri mobil 5G, është tashmë në dispozicion për vetëm 350 euro. Modeli tjetër Motorola edge kushton 585 euro, mirëpo ai dallohet me më shumë elegancë./21Media