Jasharaj: Nuk di pse Qeveria e ka këtë qasje të gabuar ndaj sindikatave

2 min read

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, sonte në RTV21 deklaroi se i kuptojnë shqetësimet e prindërve që shprehen kundër grevës.

Ai tha se kundër grevës kanë qenë dhe janë edhe ata. Jasharaj u shpreh se është mungesë totale e takimeve, dialogut.

Kryetari i SBAShK-ut në emisionin “Argument Plus” potencoi se edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci nganjëherë u ikë takimeve.

Ai u shpreh se ligji i pagave është kthyer në mister, shkruan rtv21.tv

Jasharaj u shpreh se 5 shkresa ia kanë dorëzuar ministrit të Financave, Punëve dhe Transfereve, Hekuran Muratit që të debatojnë.

“Asnjë dialog, as me Kurtin, ka ndodhur para një muaji vetëm një takim i vetëm, pas protestës sonë të përbashkët, edhe të SBAShK-ut me kryetarët e shoqatave, po edhe të sindikatave të tjera. Më 8 prill ne e bëmë një protestë, pas kësaj proteste ndodhi vetëm një takim.”, tha ndër të tjera ai.

Kreu i SBAShK-ut tha se nuk di pse Qeveria e ka qasjen e gabuar ndaj sindikatave.

Ndryshe, në shenjë revolte për mos plotësimin e kërkesave të tyre, mësimdhënësit dje kanë hyrë në grevë një orëshe. Ndër kërkesat e tyre, mësimdhënësit, por edhe punëtorët e sektorit publik, kërkojnë 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit të pagave./21Media