Sot Shtabi Emergjent i komunës së Skenderajt ka mbajtur mbledhjen e radhës, për koordinimin e veprimeve të mëtutjeshme më qëllim të parandalimit të infektimit me virusin Covid-19.

Në këtë mbledhje i pari Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i cili njëherësh është edhe Udhëheqës i Shtabit Emergjent, njoftoi anëtarët për situatën aktuale me COVID-19 në Skenderaj.

Jashari, njoftoi se nga 6 të prekurit sa kanë qenë në Skenderaj, të gjithë janë shëruar duke rezultuar kështu negativ në të gjitha testet e bëra.

Në anën tjetër për t’iu dal në ndihmë familjeve në nevojë, Jashari bëri të ditur se nga buxheti i ndarë nga  komuna për menaxhimin e kësaj situate, janë furnizuar me pako ushqimore rreth 1300 familje, kurse nga përkrahja e donatorëve janë shpërndarë rreth 2000 pako ushqimore.

Kryetari Jashari, theksoi faktin se falë punës së përbashkët dhe bashkëpunimit të shkëlqyer me qytetarët, situata tani për tani është nën kontroll dhe sipas tij nëse vazhdojmë kështu duke respektuar vendimet dhe masat e ndërmarra do të arrijmë që të mundim këtë pandemi dhe kështu të kthehemi në normalitet.

Ai në fund deklaroi se komuna që ai udhëheq, nga buxheti vetanak dhe nga përkrahja e donatorëve në prag të festës së Fitër Bajramit do të shpërndajë rreth 3000 pako ushqimore për familjet në nevojë./21Media