Sot ka vazhduar shpërndarja e granteve për bujqit përfitues nga projekti i përbashkët mes Komunës së Skenderajt dhe Caritas-it Zviceran, me participimin edhe të bujqve, me ç’rast kanë përfituar 12 bujq me njërën nga kulturat bujqësore: Dredhëza, mjedra, boronicë dhe bimë mjekuese aromatike bashkë me imputet përcjellëse.

Me rastin e shpërndarjes se granteve të para për këtë vit për bujqit, Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka deklaruar se bujqësia mbetet prioritet i qeverisjes së tij sepse ajo është një nder shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

“Që nga fillimi i mandatit tim, prioritet të veçantë i kam dhënë zhvillimit të bujqësisë, përkrahjes së bujqve duke rritur buxhetin për bujqësinë nga 48 mijë sa ishte i planifikuar për vitin 2018 në 217 mijë e 730 euro sa është këtë vit, bashkë edhe me donatorët”, ka thënë Kryetari Jashari.

Kryetari Jashari ka deklaruar po ashtu se shitja e produkteve bujqësore do të jetë e sigurtë, kjo pasi që këtë vit do të kemi edhe pikën grumbullues të produkteve bujqësore në qytetin tonë.

Tutje Jashari ka uruar bujqit për grantet e fituara duke kërkuar nga ta angazhim sa më të madh në zgjerimin e bizneseve të tyre dhe po ashtu iu premtoj që përkrahja për ta nuk do të mungojë asnjëherë.

Në emër të Caritas-it Zviceran në Kosovë, ka folur Veton Rruka, menaxher i projektit i cili ka falënderuar Kryetarin Jashari për bashkëpunimin dhe angazhimin e tij në zhvillimin e bujqësisë. Ai po ashtu theksoi se Caritas-i Zviceran do të vazhdojë përkrahjen për fermerët e komunës së Skenderajt.

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Skenderajt, Sokol Sallahu, ka deklaruar se ky është vetëm njëri prej 9 projekteve që komuna jonë do të implementoj gjatë këtij viti për bujqit e komunës sonë.

“Së shpejti do të hapen edhe thirrjet për aplikim për projektet tjera që do të realizohen këtë vit nga Komuna jonë e ku do të përfshihen të gjithë sektorët bujqësor”, ka potnecuar drejtori Sallahu.

Nga ana tjetër bujqit përfitues falënderuan Kryetarin Jashari, Komunën e Skenderajt dhe Caritas-in për mbështetjen dhënë në realizimin e projekteve të tyre bujqësore.