U bë thirrje për respektim të këshillave të IKSHPK-së si dhe të institucioneve të tjera

U bë thirrje për respektim të këshillave të IKSHPK-së si dhe të institucioneve të tjera

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, sot priti në takim Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti si dhe Ministren e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilija Redžepi, të cilët i informoi rreth gjendjes aktuale  në Skenderaj dhe për masat që komuna që ai drejton ka marrë në parandalimin e pandemisë COVID-19.

Jashari së bashku me Kurti u dakorduan për bashkëpunim të mëtutjeshëm më qëllim të parandalimit të virusit COVID-19.

“Biseduam shumë gjëra që po na preokupojnë rreth pandemisë COVID-19, po ashtu u dakorduam që ne të kemi unitet mes vete, pa dallime, në mënyrë që të dalim sa më lehtë nga kjo gjendje në të cilën jemi”, është deklaruar Kryetari Jashari.

Në anën tjetër, Kurti, u shpreh mirënjohës ndaj Kreut të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, për koordinimin e vazhdueshëm me institucionet qendrore.

“Unë e falënderova kryetarin për respektimin e vendimeve të qeverisë, të udhëzimeve të mjekeve dhe për bashkëpunimin që e ka pasur me Ministrinë e Shëndetësisë, me qeverinë tonë në detyrë, për çdo gjë terë kohën”, është shprehur Kurti.

Gjatë këtij takimi u bë thirrje për respektim të këshillave të Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës si dhe të institucioneve të tjera.​/21Media