Shkollat në komunën e Skenderajt do të mbajnë mësim gjatë së hënës dhe nuk do të kenë pushim ashtu edhe siç ka marrë vendim Qeveria e Kosovës.

Se të hënën do të ketë mësim në këtë komunë e ka thënë i pari i Skenderajt, Bekim Jashari.

Ai ka shkruar se shkollat dhe institucionet komunale të hënën do ta kenë ditë punë dhe se vendimet e institucioneve të cilat u ndërtuan me shumë mund e sakrificë duhet të respektohen dhe zbatohen nga të gjithë.

“Për shkollat dhe institucionet tona komunale, nesër do të jetë ditë pune. Vendimet e institucioneve tona, të ndërtuara me shumë mund e sakrificë duhet të respektohen e zbatohen nga të gjithë ne”, ka shkruar Jashari.

Ai ka thënë se është e paarsyeshme humbja e procesit mësimor marrë parasysh situatën e pandemisë COVID-19.

“Pas ditëve të humbura të mësimit si shkak i gjendjes pandemike, edhe një ditë e humbur është e pa arsyeshme dhe nuk ka nevojë të ndodhë. Populli ynë ka vuajtur aq shumë për të ruajtur arsimin dhe edukimin shqip, duke mos u ndalur as në kohë lufte, duke zhvilluar procesin mësimor edhe në shtëpi-shkolla, vetëm e vetëm që të mësojmë e edukojmë gjeneratat e reja, kurse tani të lirë e të pavarur duhet të mos ndalemi e dorëzohemi, por të punojmë shumë që të jetësojmë amanetin e heronjve dhe dëshmorëve të Lirisë”,  ka thënë Jashari.

Ai ka kërkuar mirëkuptimin e mësimdhënësve që nesër të mbajnë mësim dhe që fëmijëve t’iu shpjegohet se sa e lavdishme është historia kombëtare.

“Andaj të dashur mësimdhënës kërkoj mirëkuptimin tuaj që nesër të mbani mësimin dhe përveç tjerash tu shpjegoni fëmijëve tonë se sa e lavdishme është historia jonë kombëtare”, ka shkruar Jashari.

Për shkollat dhe institucionet tona komunale, nesër do të jetë ditë pune.

Vendimet e institucioneve tona, të…

Posted by Bekim Hamëz Jashari on Sunday, 29 November 2020

Ndërkohë që kundër vendimit të Qeverisë Hoti që e hëna të jetë ditë pune ka dalë Sindikata e Bashkuara e Arsimit dhe Shkencës (SBASHK).

SBASHK kërkon nga personeli arsimor që të hënën të mos dalin në punë dhe se këtë e bazojnë në kalendarin për vitin shkollor.

Kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj ka thënë se bazuar në kalendarin e vitit shkollor, dita e hëne do të jetë pushim dedikuar festës së 28 Nëntorit. Ai deklaroi se procesi mësimor nuk dëmtohet nga ky pushim pasi që edhe mësimdhënësit sipas tij nuk kanë planifikuar as një njësi mësimore për ta zhvilluar të hënën.