Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së sot kanë bërë homazhe për nder të 22 vjetorit të masakrës së Izbicës.

Homazhet janë bërë në kompleksin e varrezave të dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Izbicë, ku është thënë se shteti ynë duhet të nisë të mbledh të gjitha provat për të dëshmuar se shteti serb ka kryer gjenocid të tmerrshëm në Kosovë.

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari pas homazheve ka thënë se masakra e Izbicës është shembulli se pa sakrificë e gjak nuk ka liri.

“Ajo po ashtu është dëshmia më e mirë e krimit dhe gjenocidit që kriminelet serbë bën në Kosovë, duke mos kursyer askënd që fliste shqip e që mbronte pragun e shtëpisë. Kriminelët nuk kursyen asgjë, ata vranë gra, burra e fëmijë e pleq….jemi vonuar shumë shteti ynë duhet të nis të mbledh të gjitha provat për të dëshmuar se shteti serb ka kryer gjenocid të tmerrshëm në Kosovë“, ka thënë ai.

Jashari ka shtuar se kjo masakër ka ngritur edhe më shumë ndërgjegjien ndërkombëtare për ta ndalur gjenocidin serb në Kosovë, ndërsa, ka shtuar se as sot nuk janë dënuar kriminelët.

Të pranishmit i ka përshëndetur edhe Bislim Bajrami, përfaqësues i familjarëve të dëshmorëve.

Sot bëhen 22 vjet nga masakra e Izbicës, ku më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth kanë veçuar 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i kanë vrarë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e kanë dëbuar jashtë Kosovës. Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore është bërë lajm botëror. Sot 22 vjet pas këtij krimi askush nga autorët dhe ekzekutuesit serbë nuk ka dalë para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.