Scott Atlas, këshilltari për shkencë i presidentit amerikan, Donald Trump, pikëpamjet e të cilit nuk kanë qenë në linjë me ato të task-forcës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirus, ka njoftuar për dorëheqjen e tij.

Atlas ka informuar Trumpin për vendimin e dorëheqjes përmes një letre që ka postuar në rrjetin social, Twitter.

“I nderuar që kam shërbyer për Donald Trumpin dhe amerikanët gjatë këtyre kohërave të vështira”, ka thënë ai në postim.

Atlas, i cili nuk ka përvojë zyrtare në shëndetin publik apo për sëmundjet infektive, ka kaluar vetëm katër muaj duke këshilluar Trumpin.

Ai është punësuar me kontratë të përkohshme, e cila skadon këtë javë.

Skepticizmi i tij për izolimet afatgjata, mbylljet e shkollave dhe vendosjes së maskës për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit, kanë qenë në kundërshtim me qëndrimet e task-forcës së Shtëpisë së Bardhë.

Anthony Fauci, ekspert për sëmundje infektive në Shtetet e Bashkuara, ka kritikuar informacionin që ka ofruar ai për Trumpin, duke e konsideruar si mashtrues dhe të pasaktë për pandeminë.

Atlas, neuroradiolog, është raportuar të ketë ulur vazhdimisht rëndësinë e maskave, derisa Fauci dhe zyrtarë tjerë kanë bërë thirrje për vendosje të tyre.

Ai po ashtu ka thënë se masat e izolimit kanë qenë “dështim total”, në ndaljen e përhapjes së virusit.

Atlas ka nxitur reagime të ashpra kur ka dhënë intervistë për kanalin RT të Rusisë në muajin tetor. Ai ka kërkuar falje pse ka bërë një gjë të tillë më 1 nëntor, një ditë pas transmetimit të materialit, duke thënë se i vjen keq që ka lejuar veten të jetë pjesë e një gjëje të tillë.

Përgjatë intervistës, Atlas ka mbrojtur politikat e administratës së Trumpit dhe ka kritikuar ashpër masat e izolimit duke thënë se SHBA-ja është bërë “histerike” me to.

Ai ka thënë se nuk ka qenë i vetëdijshëm që RT është e regjistruar si agjent i huaj në SHBA.

Televizioni i financuar nga Qeveria ruse, që më parë është njohur si Russia Today, është regjistruar si agjent i huaj në nëntor të vitit 2017, pasi Departameti amerikan i Drejtësisë ka kërkuar një gjë të tillë, bazuar në Aktin e SHBA-së për Regjistrim të Agjentëve të Huaj.