Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u zhvillua debati i parë presidencial, ku sipas sondazheve të zhvilluara nga CBS News, fitues i debatit u shpall Joe Biden.

Në debatin kaotik 90 minutësh, Biden siguroi 48% të votave kundrejt 41% të votave që shkuan për presidentin aktual Donald Trump.

Komentuesit thanë pas debatit se ishte një natë e keqe dhe humbësi i vërtetë është Amerika, një e dhënë që e nxjerr në dritë edhe sondazhi.

Sondazhi i parë presidencial bëri 69% të votuesve të mërzitur me kandidatët dhe 19% e tyre u ndjenë pesimistë. Për 31% e pjesëmarrësve debati ishte argëtues, ndërsa për 17% e pjesëmarrësve u informuan nga sondazhi.

Debati u zhvillua në mjediset e universitetit “Case Western” në qytetin Klivland të Ohajos.

Ky debat u moderua nga gazetari i kanalit Fox News, Chris Wallace dhe se u fokusua në gjashtë tema: Gjykata e Lartë, COVID-19, ekonomia amerikane, tensionet racore dhe praktikat e ruajtjes së rendit në SHBA, integriteti i procesit zgjedhor amerikan, e kaluara, politikat dhe praktikat e ndjekura nga secili kandidat.

Trump dhe Biden, gjatë debatit shumë shpesh i flisnin njëri-tjetrit, dhe në një moment Biden e quajti Trumpin një “gënjeshtar, një palaço”, pastaj “këlysh i Putinit”, si dhe në një moment i tha: “A do ta mbyllësh gojën, burrë?”.

Trump, nga ana e tij tha se “e majta radikale” e ka Bidenin të “mbërthyer përreth gishtave” dhe tha se djali i tij Hunter, kishte përfituar në mënyrë të papërshtatshme gjatë punës në Ukrainë, duke shfrytëzuar lidhjen e babait të tij.

Akuzat e ndërsjella mes kandidatëve, bëheshin aq shpesh, sa që moderatori i debatit,  u shfaq i acaruar disa herë. Ai ishte veçanërisht i irrituar me Trumpin, duke iu lutur presidentit që të mos ndërpresë dhe duke i kujtuar atij se ekipi i fushatës kishte rënë dakord me rregullat e debatit.

Të dy kandidatët nuk i shtrënguan dorën njëri-tjetrit në fillim të debatit, pasi ky akt tradicional u hoq nga plani për shkak të pandemisë së koronavirusit.