Këngëtari britanik Joe Cocker, që zhvilloi karrierë të suksesshme mbi 50-vjeçare, u nda nga jeta më 22 dhjetor të vitit 2014 pas betejës me kancerin.

Cocker njihej për timbrin e veçantë të zërit, dhe kulmin e famës e shënoi me coverin e këngës së “Beatles” – “With a little help from my friends”, këngë e cila ishte absolutisht më e suksesshmja në vitin 1968.

Paul McCartney, anëtar i grupit “Beatles”, shumë merita ia dedikon atij, si muzikant i cili realizoi disa këngë të tyre. Ai tha se do t’i jetë përjetësisht mirënjohës Cockerit, që këngën “With a little help from my friends”, arriti ta kthejë në himnin e shpirtit.

Interpretimi i tij në vitin 1969 me këngën “With a little help from my friends”, në festivalin e “Woodstock” në Nju-Jork, ende konsiderohet si një prej momenteve më të mëdha në historinë e roku.

Në të njëjtin vit, Cocker realizoi albumin e dytë, me bashkëpunime të suksesshme me Bob Dylanin dhe Leonard Cohenin. Paul McCartney dhe George Harrison, të mahnitur nga talenti i tij i dhanë mundësinë të realizonte dy baza muzikore për “Beatles”.

Në vitin 1970, ai ndërmori një tur në Amerikë, duke u prezantuar me bandën e re muzikore “Mad Dogs and Englishmen”, i cili përfshinte pianistin Leonard Russell dhe këngëtaren Rita Coolidge. Pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm që pati për një kohë të gjatë, duke realizuar këngë shumë të bukura si “The Letter”, çka kryesoi top listat për një kohë të gjatë, Cocker filloi të abuzojë me alkoolin dhe drogën, dhe u rikthye në vitin 1971 në vendlindjen e tij, Sheffield.

Duke iu referuar këtyre kohërave të vështira, artisti pati pranuar se eksperienca me drogën dhe alkoolin ishte një fazë e pariparueshme e së shkuarës. “M’u deshën shumë vite për t’u kthyer në rrugën e drejtë” – thoshte.

Pas gati një dekade, në vitin 1978, kur ai ndërkohë kishte realizuar disa albume, Cocker martohet me Pam, gruan e tij të dytë dhe vendos të jetojë në një fermë në Colorado, të Shteteve të Bashkuara.

Dueti me Jennifer Warnes, “Up where we belong”, ishte sukses që e bëri atë të fitojë një çmim “Grammy” dhe një “Academy Award” në vitin 1983.

Kënga “You can leave your hat on”, është një tjetër hit i pavdekshëm i tij. Ai vazhdoi të regjistrojë albume muzikore deri në vitin 2012 dhe i fundit ishte “Fire it up”, një sukses i padiskutueshëm në Britani. Joe Cocker regjistroi mbi 40 albume muzikore.