Joseph: Deklaratat e Vuçiqit janë të papranueshme, kujdes me “23 prillin”

Profesori amerikan, Edward Joseph, i konsideron të papranueshme deklarimet e presidentit të Serbisë se nuk do të zbatojë të plotë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e saj që u arrit në Ohër. Eksperti i politikës së jashtme dhe njohësi shumë i mirë i Ballkanit, konsideron se Kosova e Serbia nuk janë afër marrëveshjes finale.

Në një intervistë për kp, Joseph deklaron se liderët e Kosovës duhet të mendojnë edhe për pasojat e mbajtjes së zgjedhjeve në veri të parapara të mbahen të dielën e ardhshme.

Ai thekson se Serbisë do t’i leverdiste nëse në veri do të ketë incidente dhe mospjesëmarrje në zgjedhjet e 23 prillit.

“Çfarë do ta dëmtonte Kosovën, një lloj loje që dëshiron Serbia, të ketë një lloj konfrontimi, mendoni për atë se çfarë do të përfitonte më shumë Aleksandër Vuçiq. Ai do të përfitonte më së shumti nëse mbahen zgjedhjet dhe ka incidente, por ne kemi KFOR-in, duhet të shikojmë nga KFOR-i për trajtimin e kësaj çështjeje, shpresojmë se ata do të merren me këtë, kjo është një mënyrë. Mënyra tjetër është se ai do të mund të përfitonte nëse mbahen zgjedhjet dhe pothuajse asnjë serb nuk voton. Pra, ai do të përfitonte, Beogradi do të përfitonte nga kjo. Ata do të thoshin shikoni, kjo është një farsë, ata nuk po e dëgjojnë popullin, populli nuk doli dhe nuk votoi. Kështu që liderët e Kosovës duhet të mendojnë për këtë, të mendojnë për pasojat e kësaj, dhe përfitimin e Beogradit nga një gjë e tillë, është gjë shumë e keqe. Fjalët e para të Aleksandër Vuçiqit pas takimit në Ohër, do të duhej të ishin ‘inkurajoj serbët e Kosovës që të kthehen në institucione dhe të marrin pjesë në zgjedhje’. Pastaj ai do të mund të thoshte se nëse Kosova nuk i përmbush obligimet e saj, atëherë unë do t’i rishikoj zotimet tona. Ai ka mundur ta thoshte këtë, dhe do të ishte e drejtë ta thoshte, mirëpo ai ka qenë negativ që nga fillimi, dhe ne kishim negativitet edhe këtu”, thekson ai.

Profesori amerikan nga universiteti “Johns Hopkins”, Edward Joseph thotë për KosovaPress se marrëveshje e Ohrit është e rëndësishme, mirëpo ka shumë pengesa.

“Atmosfera është shumë negative këtu, dhe do të kërkoj angazhim real serioz nga SHBA-ja dhe BE-ja për ta arritur atë. Pra, për mua, jam dakord me të gjitha këto, dhe mendoj se është shumë e rëndësishme të respektohet potenciali në këtë marrëveshje, së bashku me rreziqet dhe problemet, paqartësitë, dhe boshllëqet në marrëveshje. Mirëpo është e rëndësishme të mos e hedhim poshtë marrëveshjen”, deklaron Joseph.

Eksperti për politikë të jashtme nuk beson se Kosova e Serbia janë afër marrëveshjes finale.

Ai thotë se gjërat do të ishin shumë ndryshe në kuptim pozitiv nëse të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian dhe ata të NATO-s do ta njihnin pavarësinë e Kosovës.

“A jemi afër marrëveshjes finale? Jo, për fat të keq, nuk është ashtu, dhe unë e kam lexuar këtë. Problemet janë të ndërlikuara, por origjina aktuale është shumë e drejtpërdrejtë, sipas mendimit tim. Pra, për mendimin tim, ky problem i vazhdueshëm dhe të gjitha këto tensione me Serbinë, dhe ky problem i stërzgjatur, dhe unë do të theksoja këtu një citim, që u përmend nga një nga kolegët tanë në Beograd, që u pajtua një koleg këtu në Kosovë, se serbët e Kosovës janë pengje të mbajtura nga Beogradi. Pra, kjo është shumë e rëndësishme. Problemi i vërtetë këtu është fakti që Kosova nuk njihet nga BE-ja dhe nga të gjithë anëtarët e BE-së, dhe të gjithë anëtarët e NATO-s, po të ishte e njohur, atëherë gjithçka do të ishte ndryshe, do të kishim një shteg tjetër këtu, dhe do të kishte një marrëdhënie shumë më të qetë me Serbinë dhe do të kishte njohje, por ky nuk është realiteti, pra, ne duhet të merremi me realitetin, ashtu siç është”, shton më tej ai.

Për më tepër, Joseph thekson se Kosova nuk do të arrijë të anëtarësohet NATO dhe Bashkimin Evropian pa integrimin e plotë të serbëve.

“Kosova nuk do të arrijë pranimin e saj të plotë në NATO dhe në Bashkimin Evropian, pa komunitetin serb të Kosovës. Ne nuk duam ta ndajmë Kosovën, të bëjmë ndasi, dhe të kemi prap lëvizje të popullsisë, pastaj të kemi probleme në Maqedoninë e Veriut, dhe Malin e Zi, në Bosnje, ne nuk e duam këtë, kjo është ajo që dëshiron Putini. Kjo është ajo që Putini dëshiron në Ukrainë, ta marrë territorin e Ukrainës. Pra, kjo është detyra, është detyrë e qeverisë, dhe është detyrë e qytetarëve këtu, të kuptojnë dhe të kenë marrëdhënie të mira me serbët e Kosovës, dhe të kuptojnë se ata janë qytetarë të barabartë. Ata kanë të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër, dhe ne duhet të sigurojmë që Kosova të ketë të drejtat e saj, dhe që Kosova të mos jetë nën presion nga Serbia, që veriu të mos manipulohet nga Beogradi, duke krijuar tensione. Ne duhet të ecim përpara që zgjedhjet të mbahen në veri dhe serbët të kthehen në institucionet e Kosovës”, thekson eksperti i politikës së jashtme.

Komente të parpanueshme i konsideron deklarimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që thotë se nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Këto lloj komente janë krejtësisht të papranueshme, sepse sipas BE-së dhe SHBA-së, është ligjërisht e obligueshme. Edhe vet marrëveshja, një nga dispozitat e marrëveshjes, thotë, të gjitha dispozitat janë njëlloj të obligueshme, vet marrëveshja e thekson këtë. Kështu që nuk mund të zgjedhësh, të zgjedhësh cilat dispozita të marrëveshjes do t’i zbatosh, ta zbatosh këtë obligim e jo atë obligim. Pra, këto janë komente shumë negative, vërejtje shumë negative. Ne kemi nevojë për atmosferë pozitive në Serbi, ne kemi nevojë për një atmosferë pozitive në Kosovë. SHBA dhe BE duhet t’i marrin gjërat seriozisht, ata me të vërtetë duhet t’i shtyjnë gjërat përpara, ata nuk duhet ta lënë këtë gjë të shkojë huq”, deklaron profesori amerikan.

Kosova dhe Serbia u pajtuan me 18 mars në Ohër për aneksin e zbatimit të marrëveshjes që u arrit në Bruksel, ani pse nuk pati nënshkrim të saj. Në kuadër të saj, palët u pajtuan për të miratuar deklaratën për personat e zhdukur. E po ashtu për të zbatuar nenin 7 që Kosova të nisë menjëherë negociatat në kuadër të dialogut për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë./kp

Back to top button