Juventus ka mposhtur konkurrencën e Interit duke fituar betejën për të firmosur me talentin shqiptar të Veronas, Marash Kumbulla.

Sipas gazetës italiane La Stampa, Hellas ka pranuar ofertën e bardhezinjëve për 20-vjeçarin.

Për mbrojtësin e kombëtares kuqezi kampionët e Italisë do të paguajnë 32 milionë euro me një pjesë të madhe që do të jenë kesh; ndërsa pjesa tjetër e parave do të mbulohet nga disa lojtarë të rinj që do të kalojnë në radhët e Veronas.

Dëshira e Marash Kumbullës ishte të transferohej te Interi, skuadër për të cilën bën tifo që i vogël, por Juventusi ka lëvizur më shpejt duke arritur një akord me klubin e tij Verona.

Para disa muajsh lojtari shqiptar refuzoi ofertën e Napolit; ndërsa para dy vjetëve ai ka refuzuar edhe Juventusin që në atë periudhë e kërkonte për skuadrën e të rinjve.

Për Kumbullan përveç Interit ishin në garë edhe Lazio e Igli Tares, por edhe Borussia e Dortmundit e Manchester United, interesoheshin për kuqeziun.

Marash Kumbulla ka shkëlqyer në këtë sezon me Hellas Veronën duke u kthyer në një titullar te skuadra e drejtuar nga trajneri Juric, teksa është aktivizuar në 18 takime dhe ka shënuar edhe 1 gol. /kp