Juventusi mposhti Brescian

Juventusi mposhti Brescian

Futbollistët e Juventusit kanë marrë sërish kreun e tabelës në Serie A, pasi sot shënuan fitore kundër Brescia me rezultat 2:0.

Juventus në këtë ndeshje luajti pa yllin Cristiano Ronaldo, të cilin trajneri Sarri e la për të pushuar.

Brescia, e cila në këtë ndeshje u paraqit pa pesë lojtarë standardë, ishte e pafuqishme vetëm me Ballotellin për të rrezikuar “Zonjën e vjetër” nga Torino, e cila synon edhe këtë vit titullin e kampionit.

Rezistenca e mysafirëve u thye pasi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë Aye në minutën 37, pas së cilës Dybala ekzekutoi me saktësi goditjen e dënimit, duke dërguar topin drejt në rrjetën e portierit kundërshtar.

Në pjesën e dytë, ‘bardh-e-zinjtë’ arritën të shënojnë edhe një gol përmes Cuadrado në minutën 75, që njëherësh ishte edhe rezultati përfundimtar i takimit – 2:0.

Pas kësaj fitoreje, Juventus ka 57 pikë në vendin e parë, derisa Inter i cili luan sonte si mysafir kundër Lazio, renditet i dyti me tri pikë më pak.