Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit tashmë tradicionalisht, për të 93-tën herë me radhe jep shpërblimet e rregullta për arritje të jashtëzakonshme individuale ose kolektive në fushën e filmit në disa kategori.

Shumica e kategorive emërohen nga anëtarët e degës përkatëse – aktorët nominojnë aktorët, regjisorët e filmave nominojnë regjisorët etj. Sidoqoftë, kategori të caktuara si Filmi Ndërkombëtar me Tema dhe Filmi i Animuar kanë rregulla të veçanta të votimit.

Votimi për nominimet kryhet duke përdorur fletëvotimet në letër dhe ato online, me votimin në internet që është zgjedhja e preferuar për shumicën dërrmuese të anëtarëve të Akademisë e që janë rreth 10 000.

Duke ndjekur këtë rregull edhe këtë vit, ditë më parë OSCARS ka publikuar një listë të ngushtë të pretendentëve për tu nominuar, ndërkaq votimi ka vazhduar nga pesë deri më 10 mars.

Ditë më parë, Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka shpallur listat e shkurtra për nëntë kategori për çmimet OSCARS 2021. Mes të tjerëve, në listën e ngushtë për kategorinë për filmin më të mirë të shkurtë, apo “LIVE ACTION SHORT FILM”, është edhe një film nga Shqipëria. Në listën prej dhjetë filmash pretendent për nominim në këtë kategori është filmi “The Van”, film ky i regjisorit Erenik Beqiri. Filmi i prodhuar në vitin 2019 kishte premierën botërore në festivalin ndërkombëtar të filmit në “Kanë”, e rrugëtimin e tij tash po e vazhdon me një sukses tjetër.

Në këtë film prezantohet historia e një djali të ri, rreth të njëzetave, i cili ka vendosur që të largohet nga Shqipëria dhe të emigroj jashtë vendit së bashku me babain e tij. Në mënyrë që të fitojë para shpejt dhe të arrijë qëllimin e tij, ai pranon një ofertë brutale për punë: ai do të garojë në ndeshjet e boksit që do të zhvillohen brenda një fugoni.

Filmi “The Van” është në garë me nëntë filma të tjerë nga vende të ndryshme të botës ku kinematografia është mjaft e zhvilluar.

Ndërkohë filmi “Exil” i regjisorit Visar Morina, që ishte propozim i Komiteti Selektues që të jap propozimin e Kosovës për nominimet OSCAR-s në kategorinë “Best International Feature Film” nuk ka arritur të hyjë në listën e ngushtë të filmave pretendent për nominim. Filmi “Exil” i regjisorit Visar Morina në muajin gusht të vitit 2020 ka arritur të fitoj “Zemrën e Sarajevës”, çmim ky që është shpërblimi kryesor në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë.

Nominimet zyrtare për edicionin e 93 të shpërblimeve prestigjioze në fushën e kinematografisë, atyre Oskar pritet të publikohen më 15 mars, ndërkaq ceremonia qendrore e këtij edicioni është paralajmëruar të mbahet më 25 prill dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në televizion ABC dhe në më shumë se 225 vende dhe territore në të gjithë botën./21Media