Margaret Nolan, aktore dhe modele, e cila u shfaq e mbuluar me ngjyrë ari në sekuencën hyrës të filmit të James Bondit, “Goldfinger”, ka vdekur në moshën 76-vjeçe.

Lajmin për vdekjen e saj e bëri të ditur regjisori Edgar Wright, i cili punoi me Nolanin në filmin e tij të “Last Night in Soho”.

Është detyra ime e trishtë të raportoj se aktorja dhe artistja e mrekullueshme Margaret Nolan, ka vdekur. Ngushëllimet tani shkojnë për gjithë familjen dhe për ata që e njohën. Ajo do të na mungojë të gjithëve”, ka shkruar Wright në Twitter.

Margaret Nolan lindi më 29 tetor 1943 në Somerset, por u rrit në Londër.

Ajo filloi karrierën e saj si një modele, duke mbajtur emrin Vicky Kennedy në fillim të viteve ’60, por u kthye në emrin e saj të lindjes sapo filloi të aktronte.

Pas paraqitjes së saj ikonike në “Goldfinger”, ajo më vonë pozoi për ‘Playboy’ si dhe luajti në filmin e vitit 1965 “Ferry Cross The Mersey”.

Nolan bëri një pauzë nga industria e aktrimit gjatë viteve 1980, duke bërë më pas një kthim të shkurtër në 2011 në “The Power of Three”.