Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nehat Ramadani, ka vdekur sot pas infektimit me COVID-19.

Me rastin e vdekjes së Ramadanit,  kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ngushëlloi familjen e të ndjerit.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të LDK-së, zv/ministrit Nehat Ramadani. Nehat Ramadani ishte profesionist, punëtor dhe njeri i urtë e me virtyte të larta njerëzore, që me punë dhe përkushtim kreu detyrën e tij në shërbim të vendit dhe institucioneve tona. Në emrin tim personal dhe të LDK-së i shpreh ngushëllime familjes Ramadani, miqve, kolegëve dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tij”, ka thënë Mustafa.

Nehat Ramadani ka lindur në Gjilan më 15 prill 1967. Shkollimin fillor e kishte vijuar në shkollën “Musa Zajmi” në Gjilan, ndërkaq shkollën e mesme e ka mbaruar në dy cikle të ndara.

Dy vjetët e para i vijoi në A.M.O. Arbëria, drejtimi i përgjithshëm, për të vazhduar më pas në Gjimnazin Matematiko-Natyror “Zenel Hajdini” në Gjilan, drejtimi Teknik Laborant i Biologjisë.

Studimet universitare i kishte përfunduar në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Prishtinë.

Ai kishte mbaruar edhe kursin intensiv pasuniversitar në Akademinë Diplomatike Shqiptare në Tiranë, në vitin 2006

Po ashtu, kishte përvojë afër 20 vjeçare në udhëheqje, shërbime këshillëdhënëse dhe konsulentë në shumë institucione publike vendore dhe kompani ndërkombëtare që kanë vepruar kryesisht nëpërmjet programeve mbështetëse në Kosovë.