Kadrijaj: Nuk ka zgjidhje tjetër për presidentin përveç zgjedhjeve

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se kryeministri Kurti ka pasur kohë të mjaftueshme për të arritur marrëveshje politike për çështjen e presidentit. Në një përgjigje për RTV21, deputetja Kadrijaj është e bindur se zgjidhja e vetme për të dalë nga bllokada janë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Ne nuk jemi ftuar as herën e kaluar për një kandidat konsensual. Ne i marrim vendimet në forumet e partisë. Në momentin që të kemi një ftesë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, atëherë do të vendosim se si do të zhvillohen gjërat, nëse do të marrim pjesë në negociata apo jo. Megjithatë, unë mendoj se ky proces është kontaminuar dhe nuk ka zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve. Ka pasur kohë të mjaftueshme Albin Kurti dhe partia në pushtet për të diskutuar, por është parë se nuk e kanë pasur vullnetin për diskutim. Ata ndoshta kanë menduar se, duke dashur t’i eliminojnë zgjedhjet, do të votojmë një kandidat për president nga radhët e LVV-së, gjë që nuk bëhet. Unë mendoj se alternativa e vetme tani janë zgjedhjet dhe jo ndonjë kandidat, sepse po të kishin dëshiruar të gjenin zgjidhje, LVV-ja me kohë do të kishte propozuar një kandidat konsensual dhe jo partiak.”/RTV21

 

Back to top button