Kallas bisedon me Kurtin e Vuçiqin për dialogun dhe veriun

Shefja e re e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka zhvilluar takime të ndara me krerët e Kosovës dhe Serbisë me të cilët ka biseduar për dialogun për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, për sulmin në Banjskë dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Takimet e ndara në Bruksel mes Kallasit dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ishin në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

“I takova presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti. E vetmja rrugë drejt anëtarësimit në BE është përmes normalizimit të raporteve mes tyre, në bazë të Marrëveshjes së Ohrit. Mirëprita gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar pas sulmit të fundit terrorist. Kryesit duhet të përballen me drejtësinë”, tha Kallas përmes një postimi në rrjetet sociale.

Kallas po ashtu tha se do të punojë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, “në mënyrë që të mund të ecim përpara në një rrugë me procesin e zgjerimit, që është në dobi të BE-së dhe këtyre vendeve. Dhe rruga tjetër është të përpiqemi të ulim realisht tensionet ekzistuese, në mënyrë që të mund të ecim përpara në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ku edhe unë jam i gatshëm të investoj kohën time”./rel

Back to top button