​Kamberi dorëzon në Parlamentin e Serbisë propozimin e Ligjit për mbrojtjen e pakicave

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka propozuar ligj për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave.

Sipas tij, propozimi përmban dispozitat fundamentale për avancimin e të drejtave dhe lirive individuale e kolektive në përputhje me standardet më të larta.

“Të avancohen të drejtat e pakicave – të ndëshkohet dhe dënohet çdokush që i shkelë ato”, ka shkruar Kamberi.

Ai ka bërë të ditur se risi në këtë propozim të ligjit janë dispozitat ndëshkuese ndaj atyre që nuk respektojnë normat e tij, në krahasim me ligjin aktual i cili fare nuk përmban dispozita ndëshkuese.

“Në procedurë parlamentare, sot, dorëzova një propozimligj të ri. Ligjin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave. Propozimi i Ligjit përmban dispozitat fundamentale për avancimin e të drejtave dhe lirive individuale e kolektive në përputhje me standardet më të larta. Ndalesa e diskriminimit, avancimi i të drejtave individuale e kolektive, krijimi dhe pozita e avancuar e Këshillave nacionale, janë disa nga risitë që parasheh ky propozim në raport me Ligjin aktual të aprovuar më 2002”, ka bërë të ditur Kamberi.

Pikat kryesore që përmban ky propozim i dërguar sot në parlament janë:

• Ruajtja e identitetit, traditës dhe veçantive;

• Të drejtat në arsim – me të drejtën e krijimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe domosdoshmërinë që në tekstet shkollore të historisë, artit e kulturës së paku 50% e lëndës të jetë nga historia e kultura kombëtare e pakicave;

• Të drejtën e patjetërsueshme të përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit;

• Të drejtën e pakufizuar të përdorimit të simboleve kombëtare;

• Të drejtën për përfaqësim proporcional dhe adekuat në gjyqësor;

• Të drejtën për përfaqësim adekuat e proporcional në organet shtetërore;

• Të drejtën e pakontestueshme për bashkëpunim me shtetin amë;

• Krijimin e Fondit të veçantë për zhvillimin e komunave të pazhvilluara;

Kamberi ka thënë se edhe kësaj radhe propozimi ka gjetur përkrahjen e dy deputeteve të SDA së Sanxhakut dhe një deputeti të pakicës ukrainase.

Ky është propozimi i tretë për ndryshime ligjore i bërë nga Kamberi në pesë muajt e fundit.

Propozim ndryshimi i Ligjit për përdorimin e flamurit dhe riorganizimi i territoreve të gjykatave dhe prokurorive janë propozimet që kanë hyrë në procedurë parlamentare

Back to top button