Kamberi i shkruan letër BE-së: Kërkuam reagim pasi Serbia legalizoi gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve

 

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë , Shaip Kamberi bashkë me me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, i kanë dërguar letër zyrtarëve të Bashkimit Evropian, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’iu kërkuar të reagojnë ndaj pushtetit në Serbi, lidhur “me qëndrimet dhe vendimet tanimë edhe ligjore, në funksion të institucionalizimit dhe legalizimit të gjuhës së urrejtjes dhe raciste ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti.”

Në shkresën e përbashkët dërguar Presidentes së BE-së, Ursula Von Der Leyen; Përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z Josep Borrell; të dërguarit special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak; Raportuesit të Parlamentit Evropian për Serbinë, z.Vlladimir Bilcik; Komisarit të Lartë për Drejtat e Njeriut dhe Pakicave të OSBE-së në Hagë, z.Kairat Abdrakhmanov; Shefit të misionit OSBE-së në Serbi, z.Jan Braathu dhe Ambasadorit të SHBA-së në Beograd, z.Anthony Godfrey;  Kamberi ka  bërë të ditur se nënvizuan se vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë në Beograd, me të cilin Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë,  Aleksandar Vulin u lirua nga akuza e gjuhës së urrejtjes, intolerancës dhe diskriminimit ndaj shqiptarëve, është precedent i rrezikshëm për minoritetet në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.

“Njoftuam përfaqësuesit ndërkombëtarë se ky vendim i Gjykatës së Lartë i cili nuk e dënon përdorimin e termit joligjor dhe shovinist “šiptar” është po ashtu tregues që gjyqësori në Serbi është nën ndikimin e drejtëpërdrejtë të zyrtarëve qeveritarëve, duke mos zbatuar as Ligjin mbi Ndalimin e Diskriminimit Racor dhe Fetar, që sanksionon ”nxitjen e pabarazisë, urrejtjes dhe intolerancës bazuar në përkatësi racore, kombëtare, fetare, seksuale ose tjetër”.”, ka bërë të ditur Kanberi.

Ai po ashtu ka treguar se në këtë shkresë kanë shprehur bindjen  se nuk besojnë se Bashkimi Evropian do ta tolerojë një Ministër të Punëve të Brendshëm të një shteti që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, të përdorë publikisht dhe zyrtarisht, terminologji fyese dhe raciste ndaj pjesëtarëve të pakicave kombëtare.

“Në fund, theksuam vlerësimin tonë, se duke e zyrtarizuar dhe institucionalizuar gjuhën e urrejtjes kundër shqiptarëve dhe minoriteteve, përfaqësuesit më të lartë shtetërorë të Republikës së Serbisë, nuk kontribuojnë pozitivisht në procesin e pajtimit, paqes dhe bashkëjetesës në Ballkanin Perëndimor, e aq më pak në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili po lehtësohet nga Bashkimi Evropian.”, ka njoftuar Kamberi përmes një postimi në rrjetet sociale./21Media

 

Back to top button