Kamberi: Serbia do të vazhdojë të mbetet problemi serioz i qetësimit të Ballkanit Perëndimor

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka theksuar se Serbia me qeverinë e saj të vazhdimësisë, do të vazhdojë edhe më tej të mbetet problemi serioz i qetësimit të Ballkanit Perëndimor.
Ai këtë koment e ka bërë me rastin e zgjedhjes së qeverisë së Serbisë, për të cilën Kamberi ka thënë se prioritetet e qeverisë mbeten të njëjta me vazhdimësinë e mohimit të përgjegjësisë për rolin e Serbisë për luftërat e përgjakshme.

“Në Beograd, sot u zgjodh Qeveria e re. Qeveria e vazhdimësisë, siç u quajt. Në bazë të ekspozesë së kryeministres së re (vjetër) Ana Bërnabiq, prioritetet e qverisë mbeten të njëjta. Shefi i qeverisë mbetet i njëjtë. Vazhdimësi në lojën me dy karrige, pa ide të qartë për integrimin evropian, me tendencë të refuzimit të harmonizimit me politikën e jashtme të BE-së. Vazhdimësi në mohimin e realitetit rreth Kosovës dhe tendencave të prolongimit të marrëveshjes finale. Vazhdimësi në ambiciet për ‘Botën serbe’. Vazhdimësi në mohimin e përgjesësisë për rolin e Serbisë për luftërat e përgjakshme. Vazhdimësi në glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës dhe mbrojtjes së muraleve të tyre në rrugët e Beogradit. Vazhdimësi në diskriminimin e pakicave. Vazhdimësi me logjikën autoritariste të presidentit ‘shteti jam unë'”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Parlamenti i Serbisë ka votuar të mërkurën për Qeverinë e re, e cila do të ketë prioritet investimet në infrastrukturën e energjisë dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kabineti i ri do të ketë në krye Ana Bërnabiqin, e cila ka pasur rolin e kryeministres edhe në dy qeveritë e kaluara./21Media

 

Back to top button