Majlinda Kelmendi, një ndër emrat më të suksesshëm shqiptarë sot feston ditëlindjen e 29-të.

Një urim të veçantë i ka dedikuar trajneri dhe miku i saj më i afërt, Driton Kuka. Mes tjerash ai u shpreh se ajo është kryevepra e punës së tij.

“Urime ditëlindja Majlinda. Majlinda’s birthday. Njeriu në jetë lind dhe jeton për të krijuar! Për të lan gjurmë për veten,familjen,kombin … Kryevepra e punës time – Majlinda”, është urimi i Kukës për Majlindën.

Majlinda vazhdon të mbetet emri më i njohur nga Kosova në botë sa i përket sportit. Në vitin 2014, u shpall xhudistja më e mirë në botë në të gjitha kategoritë nga presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vize.

Në Kampionatin Botëror të Xhudos në vitin 2013, Kelmendi i dha Kosovës titullin e parë botëror në xhudo ku ajo mundi kandidaten e Brazilit Erika Miranda në ndeshjen e -52 kg për medaljen e artë në Rio de Janeiro.

Kelmendi arriti të rikthehet në vitin 2019 nga lëndimi, kështu duke fituar medaljen e artën në kampionatin evropian dhe pikërisht për këtë ajo e cilëson vitin 2019, si një vit të suksesshëm për të.

Edhe Komiteti Olimpik i Kosovës ia ka uruar ditëlindjen Majlinda Kelmendit.

“Urime ditëlindja kampione O LI M P I K E 🇽🇰, MAJLINDA KELMENDI. U bëfsh 100 vjeç”, është urimi i KOK-ut.

Në shkurt të vitit 2020 u përurua shtatorja e Majlinda Kelmendit në Pejë. Përurimin e shtatores e bëri presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, i cili ishte i pranishëm edhe në ceremoninë e Laureatëve 2019, të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës aty ku pikërisht Majlinda Kelmendi u shpall si sportistja më e mirë./21Media