Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti sonte deklatroi se Kandidati për Kryeministër i LDK-së caktohet nga LDK-ja, jo siç theksoi ai, nga studiot apo rrjetet sociale.

Hoti në facebook u shpreh se LDK është shkollë e të menduarit kritik dhe se ajo i ka mbijetuar represionit serb dhe garës politike pasluftës.

“LDK-ja nuk është vetëm parti, por edhe shkollë e të menduarit politik, që e ruan kursin e zhvillimit demokratik dhe euro-integrues të Kosovës.
LDK-ja i ka mbijetuar kohës së represionit serb, duke organizuar institucionet e Republikës së Kosovës. LDK-ja i ka mbijetuar një gare të egër politike në vitet e pasluftës, kur zyrtarët e saj janë vrarë, por e ka ruajtur kursin e zhvillimit demokratik të Kosovës.”, shkroi Hoti në facebook.

Ai shtoi se LDK do ta fitojë edhe këtë sfidë të radhës.

“LDK-ja tash e ka sfidën e radhës, për të mos e lënë shtetin e Kosovës të rrëshqasë drejt autokracisë, izolimit dhe regresit. LDK-ja nuk është perfekte, por është vlerë për Kosovën. Dhe do ta fitojë edhe këtë sfidë, jo për veten e saj, por për Kosovën. Është obligim i LDK-së që gjeneratat e reja të zhvillohen duke u mësuar me tolerancën dhe demokracinë, me vlera njerëzore dhe evropiane, e jo me antivlera, militantizëm, dhunë dhe autokraci.”, shkroi tutje Hoti./21Media