Reperi amerikan Kanye West ka thënë se po kandidon për president, duke iu bërë konkurent një burri për të cilin thotë se e admiron, Donald Trump.

“Ne tani duhet të realizojmë premtimin e Amerikës duke i besuar Zotit, duke unifikuar vizionin tonë dhe duke ndërtuar të ardhmen tonë,” tha ai përmes një shkrimi në “Twitter”, transmeton rtv21.tv.

“Unë jam duke kandiduar për president të Shteteve të Bashkuara!”, u shpreh ai.

Gruaja e tij Kim Kardashian West dhe sipërmarrësi Elon Musk e miratuan atë. Por, është e paqartë nëse West po kandidon vërtet.

Ai nuk duket se e ka regjistruar emrin e tij në Komisionin Federal të Zgjedhjeve (FEC) për zgjedhjet e nëntorit. Emri më i afërt që tregon baza e të dhënave FEC është një kandidat i quajtur “Kanye Deez Nutz West”.

Nuk është gjithashtu hera e parë që West ka pretenduar se po kandidon për Shtëpinë e Bardhë.

Konkursi i këtij viti ka të ngjarë të jetë një betejë e drejtpërdrejtë midis Presidentit republikan, Donald Trump dhe demokratit, Joe Biden.

Në vitin 2018, West bëri një paraqitje të çuditshme në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Trump gjatë së cilës ai veshi një kapelë “Make America Great Again”./21Media