Kapacitete të shtuara diagnostikuese në Klinikën Radiologjike

Zgjerimi i kapaciteteve të shërbimeve diagnostikuese në Klinikën e Radiologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), të cilat janë në fazën e fundit të funksionalizimit, do të plotësojnë gamën e shërbimeve diagnostikuese dhe lehtësojnë pritjet për shërbim të mbingarkuar në veçanti për shërbimin e Rezonancës Magnetike.
Kështu thuhet në një njoftim të Ministrisë së Shëndetësisë, pas vizitës që ministri Arben Vitia, i shoqëruar nga Aida Rexhepi, kryesuese e bordit drejtues, Agreta Gashi, anëtare e Bordit dhe Narqize Arënliu- Hoxhaj, vizituan këtë klinikë.
“Në takim me drejtoreshën e klinikës, Shkëndije Nuza dhe stafin e kësaj klinike, ministri është informuar me punën që po bën kjo klinikë për të kryer shërbimet diagnostike radiologjike, jo vetëm për pacientët që janë të shtrirë në klinikat e QKUK-së, por në gjithë Kosovën. Rezonanca Magnetike në Spitalin Pedriatik në QKUK, dhe në Spitalin Regjional në Peje janë në fazën përfundimtare të funksionalizimit kurse në vitin 2023 është në planifikim edhe funksionalizimi i Rezonancës Magnetike në Spitalin Regjional në Prizren. Zgjerimi i kapaciteteve të shërbimit do të ndikojë dukshëm në uljen e listave të pritjes për këto shërbime”, thuhet në njoftim.
Ministri Vitia njëkohësisht falënderoi gjithë stafin e kësaj klinike për kontributin e jashtëzakonshëm, duke theksuar se shifrat e larta të punëve të kryera flasin për punën e mirë që ka bërë stafi i kësaj klinike.

Back to top button