Kapen cigare elektrike të padeklaruara në Merdare, vlera rreth 10 mijë euro

Dogana e Kosovës ka konfiskuar në Merdare mallra të padeklaruara nga një autobus i linjës ndërkombëtare.
Përmes një njoftimi, Dogana ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur të shtunën (4 prill), derisa u shtua se zyrtarët doganorë kanë pyetur drejtuesin e automjetit nëse kishte mallra për të deklaruar, me ç’rast i njëjti është përgjigjur negativisht.
“Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, automjeti është selektuar për kontroll të vijës së dytë dhe është dërguar në hapësirat e kontrollit të detajuar. Gjatë këtij kontrolli, në pjesën e motorit si dhe në hapësirën e tualetit, është zbuluar mall i fshehur. Janë evidentuar tri pako me cigare elektronike, në sasi prej 500 copë, me vlerë të përafërt rreth 10,000.00 euro. Dogana e Kosovës ka ndërmarrë veprimet përkatëse duke ndaluar përkohësisht mallin deri në përfundimin e procedurave administrative”, thuhet në njoftim./21Media