Me interesim shortin e kualifikimeve për “Euro 2022” e ka përcjellë edhe kapiteni i Kombëtares së Kosovës në hendboll, Valon Dedaj. Dedaj, që karrierën e zhvillon në Zvicrër, ka pranuar se Kosova është në grup të fortë. Por ai e ka përjashtuar mundësinë që kombëtarja të heq dorë nga synimi i madh – kualifikimi në “Euro 2022”.

Të kujtojmë që shorti është tërhequr më 16 qershor, kurse Kosova është në grupin e tetë së bashku me Suedinë, Malin e Zi e Rumaninë.

Dy të parët në të gjitha tetë grupet dhe katër prej tetë kombëtareve të renditura në vendin e tretë, kualifikohen në Evropian. Kombëtarja jonë e kërkon rastin prej pozitës së tretë.

“Grupi ynë është shumë i fortë. Por duke parë angazhimin e djemve tanë, duhet të jemi optimist së paku për vendin e tretë në grup. Kualifikimi është i mundur edhe prej vendit të tretë në grup. Do të kemi vështirësi me Suedinë, por Malin e Zi dhe Rumaninë nuk do t’i lejojmë të marrin fitore në Kosovë. Shpresoj dhe duhet të jemi optimist së paku për vendin e tretë në grup”, ka thënë Valon Dedaj.

Kosova ndeshjen e parë e luan më 4 apo 5 nëntor ndaj Malit të Zi në Podgoricë.